Site icon Telegrafi

Jasharaj: Agim Bahtiri të kërkojë falje, ose do ta padisim

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri iu ka bërë thirrje mësimdhënësve që ta rishikojnë formën e kërkesës së tyre për rritje të pagave në mënyrë që t’i japin fund grevës dhe t’ia fillojnë punës që nga e hëna, në të kundërtën, sipas tij, Komuna e Mitrovicës do të kërkojë staf mësimor vullnetar për ta mbajtur mësimin në shkolla. Por, kjo deklaratë e tij ka revoltuar kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i cili ka paralajmëruar padi ndaj Bahtirit.

Bahtiri, sot përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se “të gjithë janë dëshmitar se edhe gjatë kohës së okupimit dhe masave të dhunshme nga pushtuesi serb shkollat kanë punuar, prandaj mësimi duhet të vazhdojë.

Mirëpo, deklarata e Bahtirit ka irrituar mësimdhënësit dhe ka nxitur reagimin e kryetarit të SBASHK-ut, i cili ka paralajmëruar padi ndaj kreut të Komunës së Mitrovicës.

Lexo po ashtu Agim Bahtiri sfidon SBASHK-un: Nëse nuk ndërprehet greva, do të angazhojmë mësimdhënës vullnetarë për të mbajtur mësimin

Kryetar i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj në një prononcim për Telegrafin ka thënë se Zyra Ligjore e tyre është duke parë mundësinë e ngritjes së një padie ndaj kryetarit Bahtiri, nëse ky i fundit nuk kërkon falje dhe ta tërheq këtë deklaratë që ka bërë.

Ai tha se fillimisht janë duke vërtetuar nëse kjo deklaratë është bërë nga vetë kryetari Bahtiri.

“SBASHK-u,  është duke u marr me deklaratën e tij. Fillimisht po merremi me vërtetësinë e deklaratës. Ju them që fillimisht që kjo deklaratë ka irrituar të gjithë mësimdhënësit në Kosovë, po ashtu dhe në Mitrovicë. Ia kujtoj kryetarit Bahtiri se ai nuk ka qenë këtu para luftës, ku mësimdhënësit janë përballur me kërcënime të ndryshme nga okupimi në atë kohë, dhe nën atë presion ata kanë mbajtur mësim”, ka thënë Jasharaj, për Telegrafin.

“Uroj që kryetarët e tjerë mos të bëjnë deklarata të tilla. Bahtiri bashkë me kryetarët tjerë duhet të angazhohen për t’i përkrah mësimdhënësit. Mësimdhënësit  ka kush t’i mbrojë. Kryetari Bahtiri do të përballet të hënën në gjykatë. Më e mira është që ai të tërhiqet nga kjo deklaratën, përndryshe Zyra jonë do të përgatis padi ndaj tij në Gjykatë”, ka thënë Jashari, duke shtuar se grave nuk mund të mbyllet me presione të tilla. /Telegrafi/

Exit mobile version