Telegrafi

Jashanica për rekord, luan në katër ndeshje për tetë ditë

Një rast i veçantë është ky i futbollistit titullar të Skënderbeut, mbrojtësit Bajram Jashanica, i cili luajti 90 minuta në ndeshjen e djeshme me Flamurtarin.

Kosovari luajti po ashtu 90 minuta edhe në ndeshjen e së martës me kombëtaren e Kosovës ndaj Finlandës.

Luajti edhe të shtunën e të dielën e javës që shkoi, në ndeshjen ndaj Kroacisë në Zagreb. Luajti 22 minuta të shtunën, por në atë moment ndeshja u ndërpre nga moti i keq dhe luajti pjesën e mbetur të ndeshjes një ditë më pas, shkruan vipsport.al

Mund të jetë një rast i rrallë, që një futbollist të zbresë 4 herë në fushë brenda 8 ditësh, pse jo dhe një rast për në librin e rekordeve. Me këtë aktivizim Jashanica kalon “testin” e kampionatit anglez, pasi vetëm aty dendësia e ndeshjeve është e tillë.

Për më tepër, Jashanica është ndër lojtarët më të rëndësishëm të Skënderbeut, tani edhe të kombëtares së Kosovës. Kujtojmë që ka qenë gjithmonë titullar me korçarët në ndeshjet europiane, madje edhe duke sakrifikuar në raste të veçanta.