Telegrafi

Japonia tashmë ka kryeministrin e ri

Yoshihide Suga u zgjodh zyrtarisht të mërkurën si kryeministri i ri i Japonisë në një votim parlamentar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, 71-vjeçari po zëvendëson Shinzo Abe, i cili dha dorëheqjen për shkak të shëndetit jo të mirë.

Suga ishte zgjedhur si kreu i ri i Partisë Liberale Demokratike qeverisëse të hënën, duke siguruar një post të tillë.

Kryeministri i ri japonez, i cili ishte sekretari kryesor i kabinetit dhe shihej prej kohësh si krahu i djathtë i Abe, do të bëjë të ditur kabinetin e tij më vonë të mërkurën.

Ai ka theksuar formimin e tij duke përmendur faktin se është biri i një kultivuesi të luleshtrydheve dhe një politikani të bërë vetë, duke premtuar t’u shërbejë interesave të njerëzve të zakonshëm dhe komuniteteve rurale.

Kryeministri i ri është zotuar të ndjekë politikat e papërfunduara të Abe, duke shtuar se përparësitë e tij kryesore do të jenë luftimi i coronavirusit dhe kthimi i një ekonomie të goditur nga pandemia.

Abe, kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, njoftoi muajin e kaluar se ai po tërhiqej për shkak të problemeve shëndetësore. /Telegrafi/