Sot në Japoni shënohet 72-vjetori i sulmit bërthamor në Hiroshimë, ndërsa me një minutë heshtje miliona njerëz në këtë vend i shprehën nderime viktimave, raporton Anadolu Agency (AA).
Në ceremoninë përkujtimore në Parkun Memorial të Paqes të Hiroshimës mori pjesë kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, dhjetëra banorë vendas të mbijetuar dhe mijëra qytetarë.
Shënimi i sivjetshëm i përvjetorit të sulmit në Hiroshimë mbahet pasi 122 anëtare të Kombeve të Bashkuara miratuan marrëveshjen e parë për ndalesën gjithëpërfshirëse të armës bërthamore.
Edhe sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, dërgoi mesazh me rastin e shënimit të përvjetorit të sulmit bërthamor në Hiroshimë.
“Kjo marrëveshje është si rezultat i fushatës globale me theks në mospranimin e përdorimit të armës bërthamore, pa marrë parasysh rrethanat”, porositi Gutteres, duke shtuar se bota pa armë bërthamore edhe më tej është larg realizimit.
Bombarduesi amerikan B-29 në ditën e sotme të vitit 1945 hodhi bombën bërthamore “Little Boy” në Hiroshimë, e cila tërësisht dogji me valën termike e cila arriti temperaturë deri në 4.000 gradë celsius. Si pasojë e bombardimit humbën jetën gjithsej 140.000 persona.
Tre ditë më vonë, bomba tjetër “Fat Man” është hedhur në Nagasaki. Japonia më pas shpalli kapitullim, ku ishte fillimi i fundit të Luftës së Dytë Botërore.