Janë ekzekutuar gjashtë drejtuesit e fundit të një kulti famëkeq në Japoni, që kryen një numër sulmesh, përfshirë edhe lëshimin e gazit sarin në një metro të Tokios që la të vdekur 13 persona.
Sulmi që ndodhi më 1995, i la me pasoja 6,000 njerëz, si dhe shkaktoi frikë te shfrytëzuesit e trenave nëntokësorë, transmeton Telegrafi.
Ata i kishin futur qeset e gazit nervor nëpër çadrat e mbyllura, të cilat i hapën sapo treni iu afrua zonës ku janë ndërtesat qeveritare.
Të 13 anëtarët janë dënuar me vdekje, ndërsa shtatë të parët, përfshirë edhe liderin Shoko Asahara janë varur para tri javësh.Sipas ligjeve japoneze, ekzekutimet u bënë të ditura, vetëm pasi gjithçka të ketë përfunduar.
Ministri i Drejtësisë Yoko Kamikawa, ka thënë se kjo është hera e parë në Japoni, që kryhen kaq shumë ekzekutime brenda një jave, por e ka mbrojtur qëndrimin, se krimi që kryen ata ishte i rëndë dhe duhet ndëshkim që të mos përsëritet.
Kulti famëkeq që dikur i kishte dhjetëmijë ndjekës në Japoni dhe 30 mijë në Rusi, është prapa shumë sulmeve kimike. Tani është shpërndarë dhe janë vetëm dymijë ndjekës, që veprojnë në grupe të vogla dhe nën monitorim të rreptë. /Telegrafi/