Skuadra e KF Besës nga Dobërdolli ka filluar fuqishëm merkaton dimërore, duke prezantuar mesfushorin japonez, Yumemi Kanda, i cili vjen nga radhët e FC Shkupit, njofton Telegrafi.
Klubi ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja me lojtarin japonez, duke e mirëpritur si pjesë të re të familjes së Besës. Mesfushori premton të sjellë freski dhe energji të re në ekip, i cili përballet me një sfidë të rëndësishme këtë pranverë – mbijetesën në elitën e futbollit vendor.
KF Besa ka planifikuar një seri miqësoresh për të testuar skuadrën: Me 22 janar ndaj KF Arsimit nga Çegrani. Me 26 janar me skuadrën e “Skopjes”, ndërsa me 28 janar ekipi fillon përgatitjet në Ohër, me disa ndeshje të tjera miqësore të planifikuara.
Trajneri i ri, Gorazd Mihajllov, do të ketë rreth pesë deri në gjashtë ndeshje miqësore për të njohur dhe përgatitur ekipin për sfidat e kampionatit.
Përveç Yumemi Kandës, skuadra ka siguruar edhe shërbimet e ish-sulmuesit të Shkëndijës së Tetovës, Shefit Shefiti, duke sinjalizuar ambicie të qarta për të përforcuar ekipin. /Telegrafi/