Telegrafi

Japonezët në protesta, kundër pranisë ushtarake amerikane

Dhjetëra mijëra demonstrues u mblodhën në ishullin japonez të Okinavës për të protestuar kundër pranisë së madhe ushtarake amerikane.

Qytetarët u zemëruan pasi një ish-punonjës i marinës amerikane u arrestua për përdhunimin dhe vrasjen e një vendaseje 20-vjeçare.

Rasti ka intensifikuar edhe më shumë kundërshtitë kundër bazës ushtarake, duke nxitur thirrjet për largimin e personelit ushtarak të SHBA-ve nga ishulli.

Rreth 26 mijë trupa amerikane gjenden në ishull. Ata punojnë dhe jetojnë aty dhe janë pjesë kyçe e aleancës së sigurisë amerikano-japoneze.

Demonstratat e së dielës nisën me një minutë heshtjeje për viktimën, Rina Shimabukuro, dhe me një mesazh nga babai i saj. Protestuesit valëvisnin pankarta me shkrime të tilla, si “Zemërimi ynë i ka kaluar kufijtë” apo “Largojini marinsat”.

Edhe guvernatori i Okinavës, që ishte i pranishëm në manifestim, kundërshton planet dhe kërkon largimin e bazës nga vendi.

Vendimi për zhvendosjen e objektit u mor pas përdhunimit të një 12-vjeçareje nga tre ushtarakë amerikanë në vitin 1995.