Telegrafi

Japonezët, 300 mijë dollarë për antikorrupsionin

Përfaqësuesi i UNDP-së, Parviz Fartash, me këtë rast ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me të gjithë ata që mundohen ta luftojnë korrupsionin.

“UNDP do të punojë bashkërisht me OJQ-të, ashtu si edhe me Agjencinë Kosovare Antikorrupsion, me të cilën shpresojmë të vazhdojmë marrëdhëniet tona të ngushta për të themeluar projekte tjera të suksesshme”, ka theksuar z. Parviz Fartash.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Japonisë, Tatsuhiko Ichihara, theksoi se vendi i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën e saj evropiane.

“Japonia ka asistuar financiarisht UNDP-në në Kosovë për disa projekte me synim sektorin e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe këtë, Agjencinë Antikorrupsion”, ka theksuar z. Tatsuhiko Ichihara.

Nga ana e tij, shefi i Agjencisë Hasan Preteni e kritikoi prokurorinë dhe gjyqësorin në përpjekjet për ta luftuar korrupsionin.

“Ne kemi përcjellë shumë informacione mirëpo është çështje e gjyqësorit të përcakton përgjegjësinë individuale. Vlerësoj se gjyqësori dhe prokuroria në Kosovë nuk qëndrojnë mirë edhe nuk janë në nivelin e detyrave të kërkuara sa i përket luftimit të korrupsionit”, ka deklaruar z. Preteni.

Projekti i nënshkruar ka për qëllim t’i ngritë kapacitetet dhe njohuritë e të gjitha institucioneve antikorrupsion në Kosovë, si dhe të përkrahë krijimin e rrjetit rajonal – antikorrupsion.