Për shkak të Trumpit dhe të Putinit, në Ballkan mund të krijohet një disbalancë e re, paralajmëron në një intervistë për DW, politologu Siebo Janssen. Edhe një konflikt i ri i armatosur në rajon është i mundur – sipas tij.
Në Ballkanin Perëndimor ka ndikime të ndryshme politike. Interesat e Rusisë dhe të SHBA-ve shpesh aty janë shumë të ndryshme. Çfarë mund të presim në Ballkanin Perëndimor nga Presidenca e Trumpit dhe një afrim midis tij dhe Putinit?
Në Ballkan vazhdojnë të jenë të përfaqësuara pak a shumë regjimet e vjetra nacionaliste, të cilat kanë përcaktuar tonin që prej shpërbërjes së Jugosllavisë dhe që e përcaktojnë ende. Atje vazhdojnë të kalojnë edhe sot vija ndarëse. Deri tani situata ka qenë e tillë që Perëndimi, përkatësisht SHBA-ja kanë thënë: këtij konflikti ne duam t’i japim fund në mënyrë të qëndrueshme dhe të përpiqemi për një pajtim politik. Unë druhem se tani me Putinin, i cili ka një interes qartësisht tjetër, forcimin e serbëve, dhe me Trumpin në anën tjetër, në Ballkan do të krijohet një mungesë baraspeshë. Dhe se serbët do ta ashpërsojnë tonin.
Donald Trumpi ka thënë se NATO është vjetruar dhe është bërë e tepërt. Njëkohësisht, Rusia kërkon që shtetet e Ballkanit, të cilat ende nuk janë anëtarësuar në NATO, të mos anëtarësohen as në të ardhmen në NATO. Çfarë prisni në këtë drejtim?
Unë mendoj se vitet e ardhshme nuk do të ketë zgjerim të NATO-s. Trumpi nuk do të ketë interes për këtë. Dhe pa SHBA atje nuk do të ketë ndonjë zhvillim të rëndësishëm në politikën e sigurisë. SHBA-ja ka qenë gjithmonë një kolonë mbajtëse e NATO-s, dhe po të tërhiqet ajo pjesërisht, atëherë aleanca e humbet rëndësinë. Me këtë u vihet pikëpyetja të gjitha zgjerimeve – dhe ky është qartësisht një sukses për Putinin.
A mund të ndodhë që Donald Trumpi t’ia lërë Ballkanin Perëndimor Vladimir Putinit?
Ai do të qëndrojë jashtë të gjitha çështjeve të kësaj zone – dhe do t’i shpallë ato një çështje evropiane. Por meqenëse evropianët janë edhe këtu të përçarë – disa shtete të BE-së, si Spanja për shembull nuk e njohin Kosovën – për mendimin tim punët do të ecin qartësisht në një drejtim tjetër. Rusia do të luajë atje faktikisht një rol të fortë dhe do të bëjë që të ndihet zhvillimi i saj.
Në të gjithë rajonin sundon sërish pasiguri. Në Kosovë është përhapur frika e ndarjes. A është e justifikuar ajo? Dhe a është e mundur që SHBA-ja t’i tërheqë së shpejti nga rajoni trupat e veta?
Kjo është me të drejtë një frikë e justifikuar, kryeministri serb ka kërcënuar indirekt me luftë, udhëheqja e shqiptarëve të Kosovës reagoi po kështu në mënyrë luftarake. Në plan afatmesëm unë besoj se trupat e SHBA-ve do të tërhiqen nga rajoni. Pyetja që shtrohet është: a kanë dëshirë evropianët dhe a janë ata në gjendje që të stacionojnë atje kaq masivisht trupa, sa atje të pengohet në mënyrë të qendrueshme shpërthimi i një konflikti? Shumë njerëz në Ballkan, midis tyre edhe përfaqësues të OJQ-ve me të cilët kam folur më thonë se për tri ose katër vjet atje mund të shpërthejë një konflikt i armatosur, po të mos përpiqet Perëndimi që ta mbështesë më shumë demokracinë dhe shoqërinë civile. Dhe për momentin unë nuk e shoh që kjo të bëhet – për shkak të tendencave izolacioniste në SHBA.
(Siebo Janssen punon në Institutin për Historinë Anglo-Amerikane të Universitetit të Këlnit, njohës i rrethanave në ish-Jugosllavi)