Site icon Telegrafi

Janjiq porosit Beogradin: Mos e quani Kosovën “shtet i vetëshpallur”, apo “krahinë serbe”!

“Shumë mitologji ka hyrë në politikën serbe, e cila ka qëndruar në realitetin artificial të Kosovës”, tha drejtori i Forumit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, duke shtuar se frikësohet që njohja e realitetit për Vuçiqin mund të jetë një e shtënë në këmbën e tij, për çka do të mund ta humbasë pushtetin.

Janjiq ka thënë se përcaktimi i Serbisë, se a do të shkojë në BE, apo kundër BE-së, është më i rëndësishëm se çështja e Kosovës.

“Kjo nënkupton njohjen e realitetit, që nuk do të thotë njohje e pavarësisë, por kjo do të thotë pranimin e Kosovës në OKB, pa kundërshtim nga Serbia”, tha ai në televizionin “N1”, përcjell Telegrafi.

Janjiq ka thënë se dialogu i brendshëm nuk është, siç ka thënë Marko Gjuriq, puna më e vështirë me të cilën vendi është ballafaquar në vitet e fundit, por ishte nënshkrimi i Marrëveshjes së parë kornizë të Brukselit në vitin 2013.

Serbia, sipas tij, ende nuk e ka arritur pikën e çështjes më të rëndësishme shtetërore, e kjo është përcaktimi për të ardhmen, nëse do të shkojë në BE, apo kundër BE-së.

Vlerëson se kjo çështje është më e rëndësishme se çështja e Kosovës, dhe që përcakton fatin e kësaj qeverie dhe potencon se nga viti 2015 është në rritje retorika pro-ruse dhe anti-evropiane.

“Nëse doni në BE, duhet të ndryshoni retorikën aktuale – ‘(Rezoluta) 1244’, ‘i ashtuquajturi shtet i vetëshpallur’, ‘krahinë serbe’…  Duhet të thuhet: ‘ Të dashur qytetarë, ne jemi në vitin 2013, kemi  krijuar një kornizë për zgjerimin e sovranitetit të Kosovës në gjithë territorin'”, tha Janjiq.

Problemi është, tha ai, se humë mitologji ka hyrë në një politikën serbe, e cila qëndroi në realitetin artificial të Kosovës. Janjiq druan se njohja e realitetit për Vuçiqin mund të jetë një e shtënë në këmbën e tij, shkaku i së cilës ai mund ta humbasë pushtetin, përcjell Telegrafi.

“Njohja e realitetit, nuk do të thotë njohje e pavarësisë së Kosovës, por mos pengim për pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kjo  do të thotë që, pa kundërshtimin e Serbisë, Kosova do të anëtarësohej në Kombet e Bashkuara”, tha ai.

“Vetëm atëherë do të funksiononte formula e ‘dy Gjermanive’, vetëm atëherë paguhen detyrimet tuaja ndaj Berlinit, dhe ky është minimumi që duhet ta bëni”, thotë ai.

Janjiq vlerëson se thirrja e Vuçiqit për dialog të brendshëm është rrugë e gabuar, sepse do të ketë një mobilizim të përgjithshëm etno-nacionalist dhe do t’u hapet hapësirë grupeve të ndryshme të interesit, të brendshme dhe të huaja, që të “bëjnë lojëra nëpër Serbi”. /Telegrafi/

Exit mobile version