Telegrafi

Janjiq: Beogradi nuk është i gatshëm për dialog serioz me Kosovën, qeveritë serbe vazhdojnë të jetojnë me deluzionin e tyre ideologjik

Beogradi nuk është i gatshëm që të bëjë dialog serioz me Kosovën dhe se presidenti serb Aleksandar Vuçiq është kryenegociatori dhe i vetmi që pyetet për këtë gjë.

Kështu është shprehur analisti serb, Dushan Janjiq duke shtuar se në Prishtinë ka institucione, një ekip negociator, një këshill ekspertësh dhe se Qeveria e Kosovës merret me dialogun.

“Nuk jemi gati për dialog serioz, nuk kemi ekip ekspertësh, zakonisht negociatori nuk duhet të jetë politikan, supozoj se do të jetë Ivica Daçiq. Problemi këtu është frika se kujt do t’i bartet përgjegjësia. Të gjitha qeveritë që nga Koshtunica e deri këtu jetojnë në deluzionin e tyre ideologjik dhe e mashtrojnë popullin se Kosova është pjesë e Serbisë. Po, në hartë dhe ligjërisht, por në realitet vendi është një territor nën kontrollin e autoriteteve të Kosovës”, thotë Janjiq për mediet serbe.

I pyetur se çfarë realiteti mund të presin serbët e Kosovës pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e tabelave të veturave, Janjiq thotë se as ata nuk e dinë.

“Shoqëria civile e veriut është e shpërndarë, të gjithë janë në Beograd. Atëherë çfarë rezistence është kjo? Kur disa të armatosur u shfaqën në barrikada, ata u interpretuan si paraushtarakë. Politikanët në vendin tonë merren me shpërndarjen funksioneve dhe plaçkës”, përfundon ai. /Telegrafi/