Site icon Telegrafi

Janevska për rastet në Çashkë dhe Moranë: Janë politike, prindërit janë manipuluar dhe kjo është në dëm të fëmijëve

Bojkoti i shkollave në fshatin Moranë dhe në komunën e Çashkës është proces i montuar politik. Kështu ministrja e arsimit, Vesna Janevska në emisionin Click Plus në TV21 i vlerësoi gjendjet në shkollën “Naim Frashëri” në Moranë ku më shumë se tre javë po bojkotohet mësimi për shkak se nuk lejohet ndarja e shkollës që tashmë funksionon në suaza të shkollës qendrore në fshatin Studeniçan.

Njëkohësisht kishte pakënaqësi edhe për shkollën në komunën e Çashkës, atje nxënësit shqiptarë nga klasa e parë deri në të pestën që deri më tani ndiqnin mësim në shkollën “Todor Janev”, presin që të ndërtohet shkolla e re “Dituria”, ndërsa në ndërkohë mësimin e zhvillojnë në xhami.

“Ky është proces i montuar politikisht, siç u montua politikisht procesi në Çashkë. Shkolla në fshatin Moranë është shkolla qendrore në të njëjtën komunë. Nuk ka asnjë logjikë se pse ata kërkojnë që të jenë në një shkollë të ndarë nga shkolla qendrore. Andaj mendoj se prindërit janë të manipuluar dhe mendoj se është në dëm të fëmijëve tanë, të nxënësve”, tha ministrja e Arsimit, Vesna Janevska.

Ministrja Janevska thotë se në të ardhmen nuk do të ketë shumë punësime të mësimdhënësve, për shkak se ka gjithnjë e më pak fëmijë dhe nuk ka nevojë nga kuadro të reja.

“Në periudhën në vijim nuk do të ketë shumë punësime në sektorin e arsimit. Po, do të ketë punësime të caktuara të mësimdhënësve për lëndë të caktuara, me shumë gjasa do të nevojiten punësime në shërbimin profesional, por është fakt se në Maqedoni ka tepër mësimdhënës ndërsa pak nxënës. Fatkeqësisht lëvizjet demografike, shpërnguljet e njerëzve nga vendi ynë dhe nataliteti i ulët e bëjnë të vetën”, deklaroi Janevska.

Përndryshe, mësimdhënësit për pagën e tetorit morën rritje prej 5% ndërsa rritjen e ardhshme do ta marrin në mars vitin e ardhshëm. Janevska tha se në shkurt me SAShK do të nënshkruhet marrëveshje 4 vjeçare me të cilën garantohet rritje e pagave çdo vit për 7 deri në 10%./TV21/

Exit mobile version