Nuk është e vërtetë që lëndët e filozofisë dhe logjikës janë përjashtuar nga koncepti i reformës në arsimin e mesëm. Kështu deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, pasi rreth tridhjetë profesorë të shkollave të mesme të filozofisë, logjikës dhe etikës dorëzuan një letër të hapur duke paralajmëruar ashpër se Koncepti i ri për reforma në arsimin e mesëm parasheh heqjen e këtyre lëndëve nga kurrikula, një ndryshim që, sipas tyre, do të krijojë breza studentësh me mendim kritik të kufizuar dhe mungesë parimesh etike dhe logjike.
“As lënda e filozofisë dhe as lënda e logjikës nuk përjashtohen. Por gjithsesi, ky është një draft version i vënë për diskutim publik. Tashmë jemi duke mbledhur sugjerime, komente, propozime dhe pas përfundimit të dëgjesës publike do të nxjerrim një konkluzion përfundimtar publik”, tha Janevska.
Ajo ka treguar se ditë më parë është takuar me profesorët e Fakultetit Filozofik, me të cilët ka pasur biseda konstruktive dhe nga të cilët pret mbështetje, por edhe rekomandime, para së gjithash për të mirën e studentëve.
Më 16 janar të këtij viti, Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), Byroja për Zhvillimin e Arsimit njoftoi se është hartuar Projekt-Koncepti për reformat në arsimin e mesëm. Ata u bënë thirrje mësuesve, nxënësve, prindërve, ekspertëve dhe të gjithë palëve të interesuara që të japin mendimet, sugjerimet dhe komentet e tyre, duke u përfshirë në një diskutim publik për miratimin e versionit më të mirë të këtij Draft Koncepti./Telegrafi/