Telegrafi

Janevska: Kur do të ketë kushte do të nënshkruhet marrëveshja kolektive për mësimdhënësit

Ministrja e re e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, e akuzoi pushtetin e kaluar për populizëm, pasi sipas saj, ka nënshkruar aq shumë kontrata kolektive dhe ka siguruar mjete vetëm deri në muajin gusht.

Ajo tha se kjo është bërë me qëllim nga pushteti i kaluar, në mënyrë që të akuzohet OBRM-PDUKM-ja se nuk i paguan mësimdhënësit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Do të jem paranoide dhe do të them se ka qenë e menduar për të treguar se pushteti i ardhshëm i OBRM-PDUKM-së nuk është i aftë të paguajë pagat, ndërsa e kanë lënë shtetin me borxh jonormal. Pse i nënshkruan gjithë ato marrëveshje kur e kanë ditur se nuk kanë para. Pse? Për të fituar zgjedhjet? Nënshkruan marrëveshje me gjithë administratën, ndërsa vetëm mësimdhënësit i lanë anash”, tha Janevska.

Ajo pranoi se qeveria e re nuk ka zgjidhje dhe do të duhet t’i paguajë rritjet e parapara me marrëveshjen kolektive në arsimin e lartë të asaj të mëparshme, ndonëse vazhdoi të shpjegojë borxhin edhe ashtu të madh të vendit.

Marrëveshja kolektive në arsim do të nënshkruhet kur të krijohen kushtet për të, tha Janevska./Telegrafi/