Telegrafi

Janevska: Kuotat e fakulteteve do të shqyrtohen, do të përcaktohen sipas një analize të tregut të punës

Nga viti i ardhshëm, kuotat e institucioneve të arsimit të lartë do të përcaktohen në bazë të analizës së tregut të punës dhe të dhënave të Agjencisë për Punësim, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në Kanal 77.

Siç thuhet në njoftim, ministrja theksoi se këtë vit nuk ka pasur kohë për të ndërhyrë në konkurs, sepse ai ishte përgatitur nga menaxhmenti i mëparshëm dhe për shkak të afatit të shkurtër, Qeveria e re duhej vetëm ta miratonte.

Sipas Janevska, vendi nuk ka nevojë për aq shumë juristë, për dallim nga mësuesit e matematikës, fizikës dhe kimisë.

– Këtë vit nuk kemi pasur kohë të ndërhyjmë në konkurs, sepse ai ishte përgatitur nga menaxhmenti i mëparshëm dhe për shkak të afatit të shkurtër, Qeveria e re duhej ta miratonte pa mundësi korrigjimesh. Por analiza ka filluar. Duhet të zvogëlohen disa kuota, për shembull, Maqedonia nuk ka nevojë për aq shumë juristë, ka nevojë për mësimdhënës të matematikës, fizikës, kimisë dhe ne do t’i stimulojmë të rinjtë me bursa që të zgjedhin profesione të pakta, tha Janevska.

Ministria e Arsimit dhe Kulturës shton se ministri po mendohet që të vendosen provimet pranuese në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, por kjo do të diskutohet më tej.

Janevska foli edhe për buxhetin për shkencën, të cilin Qeveria synon ta rrisë nga 0,3 për qind e tanishme të bruto produktit vendor në 1 për qind. /Telegrafi/