Telegrafi

Janeva: Mijallkov nuk ka qenë objektiv i përgjimeve, ai ka dhënë urdhër

“Sasho Mijallkov, njëri prej të akuzuarve në rastin “Shënjestra-Fortesa” nuk ka qenë objektiv i përgjimeve por derisa ka qenë drejtor i DSK-së me urdhrin e tij është përgjuar”.

Këtë e deklaroi prokurorja speciale publike Katica Janeva, e cila theksoi se argumentet për këtë do të prezantohen gjatë seancave të gjykimit për këtë rast, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Janeva këtë e tha pas prezantimit të raportit të dytë periodik të OSBE-së për punën e PSP-së, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për konfirmimin e Mijallkovit se ka qenë lëndë e përgjimeve dhe se në sallën e gjyqit ka shprehur dyshim se ndoshta është përgjuar edhe jashtë DSK-së.

“I pandehuri Sasho Mijalkov nuk është objektiv i përgjimit. Synimet janë njerëz të tjerë të afërt me të, familjarë. Ai nuk është objektiv. Se kush ka përgjuar në Maqedoni është provuar dhe ka dëshmi se kjo ka ndodhur gjatë periudhës kur ai ishte drejtor i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit, me urdhrin e tij ishte përgjuar dhe për këtë kishte prova në lëndën gjyqësore, të cilën shpresoj se do ta ndiqni”, tha Janeva.

Prokurorja Speciale Publike nuk ka dashur që t’i përgjigjet pyetjes për lëndët e tjera si “Perandoria”, duke i orientuar gazetarët që me shkrim të drejtohen në pres shërbimin e PSP-së./Telegrafi/