Shpronësimi i këtyre tokave u bë me vendim të Kuvendit Komunal, pas propozimit të ish-kryetarit të asaj kohe, Shukri Buja, raporton KTV.
Për ta bërë vlerësimin e pronave ishte formuar një komision, përmes së cilit u bënë edhe pagesat nga Ferronikeli në marrëveshje me pronarët e tokave.
Por, 75 mijë euro të cilat është dashur t’i paguheshin komunës nuk figurojnë në asnjërën nga llogaritë e kësaj komune.
Në dokumentin të cilin e ka siguruar Kohavisioni pas auditimit të bërë nga një komision i formuar është gjetur se mjetet nuk kanë qenë asnjëherë në dispozicion të komunës dhe nuk dihet se në çfarë destinacioni kanë përfunduar, pa lejen e Kuvendit Komunal.
Ish kryetari Buja hedh poshtë këto akuza, duke thënë se banorëve u është kryer pagesa ndërsa për pronat e Komunës nuk flet shumë.
Ndërsa, kompania NewCo Ferronikeli ka konfirmuar se të gjitha pagesat i kishte bërë me kohë.
Për këto parregullsi të gjetura Komuna ka bërë padi në Gjykatën Themelore të Lipjanit. /Telegrafi/