Telegrafi

“Janë shpërndarë 85 milionë euro për pensionistët e Kosovës”

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini me stafin ka pritur sot në zyrat e AKB-së, Ymer Havollin, kryetar i Bordit të Trustit Pensional të Kosovës, si dhe përfaqësuesin e punëdhënësve te deleguar nga AKB, Flamur Keqa, anëtar i këtij Bordi.

Sipas një njoftimi, AKB u informua lidhur me performancat e Fondit të Trustit Pensional të Kosovës për strategjinë e investimeve të Fondit në funksion të arritjes pozitive të rritjes së mjeteve për këtë periudhë nëntëmujore të këtij viti, ku arrin rritja pozitive e mjeteve të kursimeve mbi 58 milion euro.

“Gjithashtu nga kryetari i këtij Bordi, Havolli e informoi edhe për ndryshimet dhe plotësimin e ligjit i cili ka qëllim të rris mundësitë e diversifikimit të investimeve dhe rritjes pozitive. Në takim u tha se deri më tani Trusti ka servisue mbi 32 mijë pensione me vlerë prej 85 milionë euro që nga themelimi i Trustit Pensional”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se AKB përkrah inicimin e ndryshim-plotësimit të Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

“Shahini i fton të gjitha bizneset por edhe kontribuuesit të këtij Trusti që të vizitojnë dhe të marrin informacione individuale për gjendjen e tyre financiare në Trust”, thuhet ndër tjerash në njoftim. /Telegrafi/