Site icon Telegrafi

A janë robotët “miqtë apo armiqtë tanë”? Ja çfarë mendojnë njerëzit në disa pjesë të botës

Shumica e njerëzve kanë frikë se robotët do të zëvendësojnë punët njerëzore dhe ndërveprimet sociale, sipas rezultateve të një sondazhi të ri.

Por a janë ata “miqtë apo armiqtë tanë”? Varet nga konteksti.

Shumica e vendeve të G7 kanë ndjenja të përziera ndaj robotëve, sipas një sondazhi të kryer nga United Robotics me afro 8,000 njerëz në SHBA, Francë, Kanada, Itali dhe Gjermani, dhe të marrë ekskluzivisht nga Euronews Next, përcjell Telegrafi.

Megjithëse shumica i shohin zhvillimet e mëtejshme si “të pashmangshme”, shumë njerëz janë ende të shqetësuar se në të ardhmen – robotët thjesht mund të bëhen shumë ndërhyrës.

Njerëzit në masë të madhe e refuzojnë idenë e “robotëve me pamje njerëzore”

Sipas shkrimit në fjalë, gati 80 për qind shqetësohen se mund “t’ua vjedhin” vendet e punës njerëzve, ndërsa 71 për qind besojnë se robotët mund të marrin gjithashtu rolin e njerëzve në ndërveprimet sociale.

Frika e zëvendësimit reflektohet gjithashtu në mënyrën se si njerëzit duan të duken robotët.

Lexo po ashtu Ky thuhet të jetë roboti më i shpejtë në botë – dhe që 'nuk do të lodhet kurrë'

Mesatarisht, 60 për qind në të pesë vendet nuk ndihen rehat me “androidët” dhe nuk duan që robotët t’u ngjajnë njerëzve, madje as të kenë tipare njerëzore si gjymtyrët apo fytyrën.

Duke folur për këtë frikë, CEO i United Robotics, Thomas Linkenheil i tha Euronews Next se “shumë mund të lidhet me kulturën dhe fantashkencën, e cila ka imagjinuar rolin e robotëve në shoqëri pa kuptuar teknologjinë ose ndikimin që robotët mund të kenë në punën e përditshme”.

“Për United Robotics Group, robotët nuk do të zëvendësojnë kurrë njerëzit – megjithatë, ata do të bëhen të nevojshëm në vendin e punës për t’iu përgjigjur ndryshimeve demografike dhe pritshmërive të fuqisë punëtore”, ka shtuar ai.

“Thelbi i vizionit tonë është se robotët në vendin e punës do t’i lejojnë njerëzit të përqendrohen në detyra me vlerë të lartë si analiza dhe kujdesi, të cilat një robot nuk mund t’i zëvendësojë. Ideja e robotëve të shërbimit në vendin e punës është të shkarkojnë njerëzit nga puna e lodhshme dhe detyrat konsumuese, që ndonjëherë mund të jenë të rrezikshme për shëndetin (si mbajtja e ngarkesave të rënda) për ta bërë punën më të këndshme”.

Ndërkohë SHBA është i vetmi vend në favor të futjes së robotëve në shkollat fillore dhe çerdhe, me 51 për qind. Kanadaja, Italia, Franca dhe Gjermania, në veçanti (68 për qind), e refuzojnë atë.

Roboti ndihmon në shëndetësi, shkencë dhe eksplorime

Nga ana tjetër, njerëzit duken mjaft në favor të rritjes së përdorimit të robotëve në sektorë ku është tashmë i vendosur mirë.

Për shembull, në sektorët industrialë dhe dixhitalë, si dhe në kërkimin shëndetësor, veçanërisht për studimin e viruseve dhe ADN-së.

Lexo po ashtu Ky “robot, mbledhës i mbeturinave” mund të rendit mbi 500 lloje plehrash në pak sekonda

Zhvillimet e robotëve janë gjithashtu të mirëseardhura në fusha si bujqësia dhe transporti, dhe në përgjithësi ku mund të lehtësojnë jetën e njerëzve “pa i kapërcyer ata”.

Mbështetja e robotëve në hapësirën dhe eksplorimet e shtratit të detit shihet gjithashtu pozitivisht, kryesisht.

“Ka një nevojë në rritje për të mbajtur laboratorët dhe spitalet në punë 24/7 dhe për t’iu përgjigjur një kërkese kritike shëndetësore”, thotë Linkenheil, përcjell Telegrafi.

Shumica e njerëzve ende nuk dinë mjaftueshëm për robotët

Shqetësimet ndaj robotëve pasqyrohen nga përgjigjet në pyetjen: A do të sjellin robotët më shumë përfitime apo rreziqe për shoqërinë në tërësi?

Shumica dërrmuese nuk janë të sigurt – dhe mendojnë se ka aq përfitime sa rreziqe.

Franca duket të jetë vendi më skeptik, me përqindjen më të lartë të atyre që ndihen negativisht për të (28 për qind).

SHBA-ja është më e polarizuara, (33 për qind pozitive kundrejt 25 për qind negative), ndërsa Italia rezulton si vendi më optimist për sa i përket robotëve që sjellin më shumë përfitime për shoqërinë (34 për qind).

Lexo po ashtu Njihuni me robotin që mund të gatuajë tetë hamburgerë në më pak se një minutë

Në çdo rast, vetëm 40 për qind e njerëzve të anketuar deklaruan se ishin mjaft të informuar për zhvillimet e robotëve.

Linkenheil thotë se “pavetëdija vjen nga dy gjëra – një është funksioni imagjinativ që mund t’i atribuojmë robotëve, tjetri është se robotët në vendin e punës janë ende një risi”.

“Ne mund ta krahasojmë këtë me prezantimin e kompjuterëve apo edhe të telefonave inteligjentë disa vite më parë – ka një hendek midis brezave që hynë në fuqinë punëtore përpara këtyre mjeteve dhe brezave që kanë përdorur kompjuterë ose internet që nga shkolla e mesme”, shtoi ai.

Pavarësisht kësaj, ai vlerëson se “pranimi i hershëm dhe ndërveprimi me këto teknologji do të kontribuojë vetëm në kuptimin dhe pranimin më të madh të robotëve në vendin e punës”. /Telegrafi/

Exit mobile version