Sot zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani në konferencë për shtyp informoi se nga gjithsej 73 masat e parapara për pjesën 3 të Planit 3-6-9, deri më tani janë realizuar 34 që nënkupton realizim të rreth gjysmës së masave, 20 të tjera janë në vijim, por janë brenda afatit kohor, por për disa masa është konstatuar se janë me vonesë, përcjell Telegrafi Maqedoni. Kjo nuk është realizim aq i keq, nëse kemi parasysh se ndodhemi në mesin e afatit të caktuar, por kjo njëkohësisht duhet të shërbejë si paralajmërim për përqëndrim më të madh nga ana e Qeverisë dhe administratës shtetërore në zbatimin e Planit 3-6-9.
“Në periudhën e kaluar ne, si Qeveri, si asnjëherë më parë kemi qenë të përkushtuar në agjendën evropiane të Republikës së Maqedonisë. Krahas asaj që përmbyllëm disa nga çështjet politike, theks të veçantë u dha në vetë reformat e planifikuara. Përgatitëm plan për prioritete urgjente të reformave, për të cilat caktuam afate për kryerje gjatë tre mujorit të parë të qeverisjes. Tani ndodhemi në mesin e afatit të paraparë për realizimin e një pjese të Planit 3-6-9, për zbatimin e të cilit kemi vendosur të bëhet para zgjedhjeve lokale”, u shpreh Osmani.
Ai theksoi se masat nga sefra e Kuvendit tani më kanë realizim të plotë, ndërsa në sektore tjera si reformat në gjyqësi, refugjatët, masat në lidhje me krimin e organizuar, masat në lidhje me zgjedhjet dhe të tjera, janë të realizuara më pak se një e treta e masave të përgjithshme të parapara në Planin 3-6-9./Telegrafi/