Werder Bremen është duke kaluar nëpër një krizë financiare dhe me ndalimin e futbollit ajo është bërë edhe më e madhe.
Klubi i famshëm gjerman rrezikon edhe rënien në Bundesliga 2, pasi ndodhet në pozitën e parafundit në tabelë me vetëm 18 pikë pas 24 dueleve.
Kriza që ka kapluar klubin mund të bëhet edhe më e madhe në rast të rënies në një kategori më poshtë, pasi të ardhurat do të ishin shumë më të vogla.
Sikur mos të mjaftonte kriza financiare, në fund të sezonit Werder duhet t’i blejë përfundimisht lojtarët e huazuar si Omer Toprak për 6,4 milion dhe Leonardo Bittencurt për shtatë të tjera që janë të huazuar me detyrim blerje.
Ndërkohë i huazuar në Bremen mbetet edhe sulmuesi Davie Selke, por për këtë Werderi duhet ta blejë përfundimisht në vitin 2021.
Të gjitha shpresat e klubit janë tani tek ylli kosovar Milot Rashica, pasi vetëm shitja e tij do t’i shpëtonte prej një krize të madhe.
Drejtori sportiv Frank Baumann ka thënë se po lutën që të vijë një skuadër ta paguajë klauzolën e Rashicës prej 38 milionë euro, edhe pse një gjë e tillë duket tejet e vështirë duke parë që tregu do të ndryshoj pas pandemisë Covid-19 dhe gjithë skuadrat janë në krizë.
“Tregu do të ndryshoj pas Covid-19 dhe kjo do të ndikojë edhe në shitjet e Werderit. Jemi në dyshim nëse një klub i huaj do ta aktivizojë klauzolën e Rashicës”, ka deklaruar Baumann.
Bild raporton se për Milotin ka shumë interesime nga skuadra jashtë kufijve të Gjermanisë, por që ende asnjëra nuk i është afruar shumës prej 38 milionë euro.
Aston Villa ka provuar me ofertën e parë prej 20 milionë, ofertë që është hedhur poshtë nga Werder që ka kërkuar nga klubi anglez të rritë edhe më shumë shumën e ofruar.
Rashica ka klauzolë largimi prej 38 milionë euro nga Bremen, por kjo klauzolë vlen vetëm për skuadrat jashtë Gjermanisë.
Ndërkohë të interesuara për lojtarin nga Kosova mbesin edhe Borussia Dortmund e RB Leipzig në Bundesliga. /Telegrafi/