Site icon Telegrafi

Janë plotësuar 20.600 pyetësorë, mbeten edhe rreth 69.000

Në tre ditët e para të kontrollit në terren janë plotësuar 20.640 nga gjithsej 89.000 pyetësorë dhe janë lënë 498 njoftime, thotë Ljupka Guguçevska, këshilltare në Komisionin Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), transmeton Telegrafi Maqedoni.

Kontrolli realizohet ngadalë në lagjen Karposh të Shkupit, ku janë kontrolluar diçka më tepër se dyqind votues të dyshimtë, ndërsa duhet të kontrollohen pothuajse 7.000. Sot pritet që përfaqësuesit e KSHZ ta vizitojnë zyrën lokale për ta parë se ku qëndron problemi.

Ndryshe, në Qendër janë kontrolluar një e treta, ndërsa në komunën e Sopishtes kontrolli në terren ka përfunduar. Atje kishte 36 votues të dyshimtë.

Qëndrimi i KSHZ për momentin është që kontrolli në terren do të përfundojë deri në datën 3 të këtij muaji.
“Angazhohen anketues plotësues atje ku ka nevojë dhe ku nevojitet ndihmë për regjistrimin e të dhënave nga pyetësorët” – thotë Guguçevska.

Tani për tani nuk ka informata lidhur me atë se sa nga kontrollet administrative që duhej ti realizojë Ministria e punëve të brendshme dhe Ministria e drejtësisë janë përfunduar deri mbrëmë, kur dhe skadoi afati i dhënë. Sot, Shërbimi profesional në KSHZ duhet ta përgatis edhe këtë informatë dhe për të të diskutohet në seancën e KSHZ. MPB duhej të kontrollonte 75.000 votues të dyshimtë, ndërsa Drejtoria për evidencë amë në Ministrinë e drejtësisë, 71.000 votues.

Sipas informatave jozyrtare, kontrolli në MPB nuk mund të përfundojë në afatin e paraparë sepse në rastet kur kontrollohet mënyra e pajisjes së votuesve të dyshimtë me letër njoftime, nevojitet hapja manuale e çdo aplikacioni që të shihet nëse gjithçka është në rregull në njësitë rajonale të MPB. Në Drejtorinë për evidencë amë, punën e ngadalëson mospasja e bazës elektronike të të dhënave para vitit 2013.

Sot në web faqen e KSHZ nuk gjendet më lista e votuesve që kontrollohen në terren, siç kërkonte Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale. Sa i përket kërkesës tjetër të Drejtorisë që votuesit të kenë mundësi ta kontrollojnë gjendjen e tyre personale në Listën zgjedhore, e jo dhe të personave tjerë që jetojnë në një adresë të caktuar, nga KSHZ na informojnë që në rrjedhë e sipër janë ndryshimet e aplikacionit për përmbushjen e kësaj kërkese.
Edhe pse KSHZ i plotësoi kërkesat e Drejtorisë, prapë se prapë, do të ngre padi në Gjykatën administrative, sepse vlerëson që këto kërkesa të tyre nuk janë në pajtim me Kodin zgjedhor.  /Telegrafi/

Exit mobile version