Nga gjithsej 39502 votues të kontestueshëm, janë paraqitur më shumë se 3 mijë e 400 persona, apo afër 10% nga numri i përgjithshëm. KShZ është duke përpunuar 65 prej tyre, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Paraqitja e votuesve të dyshimtë do të përmbyllet për më pak se dhjetë ditë, më 19 gusht. Kjo do të vlejë edhe për votuesit që vijnë nga zonat e përmbytura, rrethinat e Shkupit dhe malësisë së Tetovës, të cilët pas katastrofës mund të mos kenë edhe dokumente identifikimi për tu paraqitur.
Nga KShZ thonë se për momentin nuk ka përjashtime për votuesit e dyshimtë të këtyre hapësirave, pasi që ligji nuk parashikon një gjë të tillë.
“Paraqitja e votuesve të dyshimtë do të zgjasë deri më 19 gusht për gjithë votuesit që figurojnë në listën e dyshimtë. Këtu përfshihen edhe personat e zonave të përmbytura. Ligji nuk parashikon vazhdim të afatit të paraparë. Ne vetëm zbatojmë ligjin që kanë miratuar katër partitë politike dhe më pas kuvendi. Në rast se Kuvendi sjell vendime të reja ne do tu përmbahemi atyre”, thonë nga KShZ.
Në listën e votuesve të dyshimtë të cilën KShZ e publikoi më 25 korrik, figurojnë edhe emra të personave nga komuna e Gazi Babës, pjesë e së cilës është edhe Hasanbegu e cila u prek më së shumti nga vërshimet e fundit.
Personat të cilët deri në përmbyllje të këtij afati nuk paraqiten u rrezikohet e drejta e votës. Ata mund të shlyhen nga lista e zgjedhësve, ndërsa të drejtën për të votuar mund ta kthejnë para zgjedhjeve gjatë kontrollit publik./Telegrafi/