Këshilli i Agjencisë për Shërbime Audio dhe Audiovizuale në seancën e sotme miratoi Udhëzimet për prezantimin e mediave gjatë referendumit, me të cilën jepen shtesë nëntë minuta për propagandën publike të paguar në një orë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Sipas udhëzimeve, transmetuesit duhet të krijojnë kushte të barabarta për t’u qasur palëve të interesuara në referendum për format e propagandës publike të paguar, për të cilën radiot dhe televizionet mund të kushtojnë gjithsej nëntë minuta në çdo orë reale, të transmetuar si kohë shtesë. Këto janë edhe nëntë minuta shtesë përveç 12 minutave të lejuara për reklamim sipas Ligjit për Shërbimet e Medias Audio dhe Audiovizuale, të cilat, siç u theksua, nuk duhet të përdoren për transmetimin e propagandës publike të paguar për referendumin.
“Gjithsej nëntë minuta propagande publike të paguara duhet të ndahen në dy gjysma të barabarta (pas 4:30 min), një për subjektet të cilët do të agjitojnë për tu përgjigjur “për” çështjen e referendumit dhe tjetra për subjektet që do të agjitojnë për t’u përgjigjur “kundër” çështjes së referendumit ose do të agjitojë për një bojkot të referendumit. Duke vepruar kështu, çdo subjekt i interesuar mund të blej më së shumti gjysmën e kohës së përgjithshme veçmas për propagandën publike të paguar, gjegjësisht 4 minuta e 30 sekonda, thuhet në Udhëzim.
Çmimi i shërbimeve për propagandën publike të paguar është e theksuar, duhet të jetë e njëjtë për palët e interesuara në referendum dhe nuk duhet të ndryshohet nga koha e miratimit të çmimeve deri në përfundimin e referendumit. /Telegrafi/