Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Mitrovicë ka njoftuar se si rezultat i përpunimit të informatave dhe zhvillimit të hetimeve intensive në identifikimin e veturave të dyshuara, hetuesit policor, konkretisht Njësia e Auto-krimeve, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, gjatë vitit 2016 ka identifikuar mbi 400 vetura, me dokumentacion jopërkatës.
Sipas një njoftimi, veprimet policore gjatë tërë vitit ishin të orientuara mbi bazën e identifikimit dhe verifikimit fillestar të dokumentacionit të këtyre veturave, ku hetuesit policorë në bashkërendim me prokurorin kompetent kanë ngritur dyshimet se këto vetura nuk kishin dokumentacion përkatës që dyshoheshin për ‘shmangie të obligimeve doganore’.
“Identifikimi i këtyre veturave është bërë në lokacione të ndryshme, përfshirë kompani biznesi, auto sallone, auto pjesë dhe vetura personale, të gjitha këto në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.
Në kuadër të kësaj, thuhet më tej, Policia ka iniciuar 8 raste penale, ndaj kompanive të ndryshme, tek të cilat janë gjetur në pronësi veturat.
“Ky rezultat i punës së mirë e profesionale i Njësisë së Auto-krime, sipas një parallogarie të bërë nga autoritet doganore në Mitrovicë, ka rezultuar që të parandalojë shmangiet doganore në vlerë prej mbi 700.000 euro. Të gjitha këto vetura u janë dorëzuar autoriteteve doganore në Mitrovicë”, përfundohet në njoftim. /Telegrafi/