Plani jo-funksional i puçistëve në Turqi, organizimi i dobët, mos-koordinimi i tyre dhe elemente të tjera kanë bërë që të ndërtohen shumë teori konspirative rreth kësaj ngjarje.
Ka zëra që thonë se Recep Tayyip Erdogan e inskenoi vet tentim-puçin për të konsoliduar edhe më pushtetin e tij në Turqi.
Teori të tilla madje janë dëgjuar edhe nga ekspertë të sigurisë.
Një element që i bënë këta zëra të besueshëm është edhe një lajm që është publikuar sot, e hënë, në mediat britanike.
The Sun raporton se organet e rendit në Turqi kanë arrestuar 62 nxënës të një shkolle ushtarake në Turqi, si bashkëpunëtorë të puçistëve, por që prindërit e nxënësve po thonë se fëmijët e tyre u detyruan të vishnin tesha të ushtrisë dhe iu dhanë armë pa plumba në duar.
“Para tentim-puçit javën e kaluar nxënësit të moshës mes 14 e 17 vjeç, u detyruan të vishen dhe të mbajnë armë, thonë avokatët”, shkruan The Sun, përcjellë Klan Kosova.
Nëna e një 15 vjeçari të arrestuar, duke pritur jashtë burgut tha se “fëmijët tanë asnjëherë më parë nuk kanë mbajtur armë”.
“Ata janë detyruar të veprojnë ashtu”.
Ndërsa babi i një 14 vjeçari, po ashtu të arrestuar, tha se nuk ishte lejuar të fliste me djalin e tij qysh kur e kishte parë në një koktej kohë më parë që e kishte organizuar shkolla.
“Djali im ishte regjistruar në këtë shkollë sepse e donte Ataturkun, ishte vendimi i tij për t’u regjistruar aty”.
“Ne nuk kemi lidhje me organizatën e Gylenit, as simpati nuk kemi për atë organizatë. Ata janë vetëm fëmijë dhe janë të pafajshëm, organet e rendit duhet të ndajnë të pafajshmit nga fajtorët e vërtetë”.