Në një letër drejtuar Presidentit të Republikës Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama, kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj, 77 arkitektë, urbanistë e konstruktorë i thonë jo shembjes së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental.
“Ne, arkitektët, konstruktorët, restauratorët dhe urbanistët nënshkrues të kësaj letre, shprehim shqetësimin tonë të thellë për shpërfilljen e mendimit të specialistëve të fushës dhe mosrespektimin e procedurave në vendimmarrjen politike për shembjen e ndërtesave historike të Teatrit Kombëtar (TK) dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental (TKE) dhe zëvendësimin e tyre me një ndërtesë të re. Qysh me shpalljen e këtij plani nga Qeveria, Unioni i Arkitekteve (AUA), Shoqata e Arkitektëve (SHASH), Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë dhe shoqata ndërtuesish (emrat e te cilave do te radhiten me poshtë, tek firmat) kanë bërë deklarata zyrtare kundër tij dhe në mbështetje të rikonstruktimit apo restaurimit, zgjidhje që duhet të dalë nga tryeza publike specialistësh. Gjatë tre muajve, specialistë të shumë kanë bërë deklarime publike në media, duke dhënë argumentet e tyre kundër shembjes, por ato kanë rënë në vesh të shurdhët. Në dëgjesat e kryera ne jemi lënë jashtë qëllimisht”, thuhet në letrën e tyre.