Në janarin 1945, atë që nuk arritën ta bëjnë çetnikët e Drazha Mihajloviqit ndaj popullatës së Sanxhakut të Pazarit të Ri, e bëri pushteti “popullor” serbo-komunist. Në muajt e parë nga marrja e pushtetit, u ekzekutuan rreth 2000 persona, shumica e tyre shqiptarë, në krye me udhëheqësin politik e ushtarak të Sanxhakut, Aqif Blytën.
Aqif Blyta ose Aqif Haxhiahmetoviq (1887- 1945) nga populli i Sanxhakut të N. Pazarit njehet si Aqif-efendia të cilin OZNA e pushkatoi me 21 janar 1954.
Aqif Blyta është njëri ndër politikanët dhe patriotët shqiptarë të Sanxhakut të Pazarit të Ri i periudhës ndërmjet dy luftërave Botërore dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aqif Blyta ishte veprimtar i shquar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit dhe deputet në Kuvendin Kombëtar në Tiranë (1943-1944). Aqif-efendia është më i merituari në mbrojtjen e N. Pazarit nga sulmet dhe shfarosjet çetnike.
Aqif Blyta është lindur në N. Pazar në vitin 1887. Në këtë qytet babi i tij Emin-agë Blyta kishte ardhur nga Gjakova. Aqif Blyta ka kryer akademinë ushtarake në Manastir, në të njëjtën akademi ku kishte studiuar edhe kryetari turk Mustafa Kemal Ataturk. Me kryerjen e akademisë kishte arritur gradën e kapitenit. Në shtetin e ri të Mbretërisë Jugosllave, Aqif Blyta ishte një ndër të parët në formimin e Partisë Xhemijeti të myslimanëve shqiptarë.
Xhemijeti bashkonte myslimanët dhe shqiptarët. Në verën e vitit 1919, në Shkup, mori pjesë në Kongresin themelues të organizatës ”Xhemiet” (Bashkimi). U shqua si aktivist i kësaj organizate dhe u zgjodh sekretar. Më 1920 u zgjodh kryetar i bashkisë së Pazarit të Ri. Pasi që nuk pranuan të jenë nën diktatin e mbretit Aleksandër dhe të Nikolla Pashiqit, Xhemijetit në vitin 1924 i ndalohet veprimtaria. Që nga ky vit e deri në vitin 1990 shqiptarët dhe popujt tjerë joserb nuk kanë pasur parti të tyre politike.
Në zgjedhjet parlamentare të viteve 1920, 1925, 1927, 1933, 1935 dhe 1938, ndonëse ishte përfaqësues më në zë i popullsisë së trevës së Sanxhakut, për shkak të manipulimeve dhe grabitjes së votave nga autoritetet serbe, nuk u zgjodh deputet i parlamentit të Mbretërisë Serbo Kroate Sllovene, përkatësisht të Mbretërisë së Jugosllavisë (1929-1941). E arriti atë vetëm në zgjedhjet e vitit 1923. Në parlamentin jugosllav u shqua si përkrahës e bashkëpunëtor i afërt i Ferhat Dragës; kundërshtar i vendosur i politikës së ndjekur nga qarqet serbe, për shpronësimin dhe shpërnguljen me dhunë të popullit shqiptar.
Populli i Sanxhakut i është mirënjohës posaçërisht për shkak të angazhimit të tij në pengimin e shpërnguljes së popullsisë nga Sanxhaku për Turqi. Aqif Blyta duke qenë personaliteti më i rëndësishëm i organizim ushtarak dhe politik ishte në shënjestër të tri atentateve të organizuar. Për dy atentatet e parë ishin përgjegjës nacionalistët serbomëdhenj nga Beogradi, ndërsa për atentatin e tretë kanë qenë komunistët vendas të Sanxhakut të cilët për ekzekutues kishin caktuar Hasë Rozhajën. Por, komunistët qenë tërheqë më vonë nga ky vendim.
Kah fundi i vitit 1941 Blyta organizon mbrojtjen e N. Pazarit nga çetnikët të cilët depërtonin nga Rashka. Qëllimi i çetnikëve ishte marrja e N. Pazarit dhe mandej e tërë Sanxhakut me qëllim të shfarosjes së popullsisë shqiptare dhe myslimane. Ngjarjet që u zhvilluan tutje treguan se Aqif Blyta me ushtrinë e tij të formuar dhe me ndihmën e njësive nga Peshteri dhe me ndihmën që i arriti nga vëllezërit kosovarë nën udhëheqjen e Shaban Polluzhës arritën të mbrojnë këto territore nga çetnikët.
Pas depërtimit të forcave partizane jugosllave në ato treva, iu dorëzua organeve të pushtetit partizan në Gjakovë, të cilët e dërguan në Pazarin e Ri. Mbas torturave mizore, bashkë me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, Ahmet Dacën, dhe me tre djemtë e tij u pushkatuan në Haxhet (lagje e sotme e Pazarit të Ri) me 21 janar 1945 nga OZNA. Aqif Blyta ishte i martuar me Mahijen nga Gjakova me të cilën nuk lan pasardhës. Megjithatë ata birësuan dy fëmijë që i sollën nga Gjakova, një djalë me emrin Qamil dhe një vajzë të quajtur Mejreme.
Më 11 maj me rastin e krijimit të Këshillit Popullor të Sanxhakut, u morr vendimi për rehabilitimin e Aqif Blytës dhe të tjerëve. Pas aprovimit të ligjit të ashtuquajtur për rehabilitim më 17.02.2007, kryetari i Këshillit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Sanxhakut, Esad Xhuxheviq, me anë të mediave kërkoi nga organet shtetërore ta rehabilitonin Aqif Blytën i cili ishte i dënuar politikisht nga pushteti i atëhershëm. Po ashtu është paralajmëruar për fillimin e procedurës gjyqësore pran gjyqit të qarkut në Novi Pazar në lidhje me këtë çështje. Ngjarjet aktuale tre viteve të fundit, dhe bllokimi i veprimit së Këshillit Popullor të Sanxhakut, kanë shkaktuar ndërprerjen e këtij procesi.
Për ta nderuar personalitetin e Aqif Blytës në shëtitoren e këmbësorëve në qendër të qytetit të Pazarit të Ri (Novi Pazar) është vendosur pllaka përkujtimore. Pllaka përkujtimore është vendosur me vendimin e Këshilli Kombëtar Boshnjak, mandej në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe ministri në qeverinë e Serbisë Sulejman Uglanin dhe Sekretari shtetëror në Ministrinë e Arsimit, Muhedin Fijuljanin, që të dytë nga ky qytet, e që për mediat serbe ky ishte një skandal.
Në lidhje me kërkesat e pushtetit serb për ta larguar pllakën përkujtimore, në shatorin e viti 2011, Presidenti i KKB, Esad Xhuxheviq, me këtë rast kishte deklaruar se “paneli do të mbetet, edhe pse qeveria ka mjete për ta larguar me forcë panelin e Aqif Effendiut”.
Xhuxheviq, për ta argumentuar mendimin e tij, ka shtuar: “Ai për ne është një figurë e padiskutueshme historike. Nëse dikush mund të na bindë ndryshe, ne jemi të gatshëm për të biseduar. Ndërsa panelin nuk e heqim”. Këto ishin fjalët e njeriut kyç sa i përket këtij rasti, të cilat ende qëndrojnë, siç kanë bërë me dije mediat e Sanxhakut.
Çdo gjë tjetër mbeti e njëjtë dhe askush nuk beson se pllaka përkujtimore të hiqet ndonjëherë, përkundër presioneve të shtetit serb. Shpresojmë se në një të ardhme të afërt do ti shkoj mendja institucioneve tona shtetërore këtë personalitet të shquar ta përkujtojnë në atë formë që e meriton.