Ambasadori grek në Maqedoni, Dimitris Janakakis tha sot se Greqia mbështet Maqedoninë në BE dhe NATO në bazë të marrëveshjes së Prespës, por sipas tij, tani është në duart e shteteve anëtare të BE-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ky vend ka aspirata për t’u bërë anëtare e BE-së dhe NATO-s. Greqia, në bazë të marrëveshjes së Prespës, mbështet këto përpjekje, por qasja varet jo vetëm nga Greqia. Tani është në duart e të gjitha vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së që të mbështesin aspiratat e këtij vendi në të ardhmen”, tha Janakakis, i cili mbajti fjalim në seminarin e 98-të të Ross-Rot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë.
Janakakis foli për marrëveshjen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit, duke theksuar se ishte një marrëveshje historike “që do të vendosë marrëdhëniet mes dy vendeve në një terren të ri”.
Lidhur me NATO-n, ambasadori grek tha se Greqia ka një interes të madh për të forcuar sigurinë në Evropën Juglindore, por edhe në rajon më të gjerë.
Janakakis gjithashtu theksoi se shkëmbimi tregtar në mes dy vendeve është intensive, duke thënë se në Maqedoni ka shumë firma greke që kanë investuar. /Telegrafi/