Me 12 ekspertë, 24 mbikëqyrës afatgjatë të cilët do të arrijnë gjatë javës së ardhshme dhe me së paku edhe 300 mbikëqyrës që do të arrijnë disa ditë para zgjedhjeve, misioni mbikëqyrës i OSBE/ODIHR, e filloi misionin e vetë në Maqedoni, njofton Telegrafi Maqedoni.
Shefi i misionit mbikëqyrës, ambasadori norvegjez Jan Petersen në emisionin „10 minuta“ në Tv 21 deklaroi që të gjithë duhet të kuptojnë se roli i misionit është që ta mbikëqyr procesin zgjedhor dhe të raportojë, dhe jo të përzihet në punën e institucioneve kompetente për organizimin e zgjedhjeve.
„Ne nuk do ti komentojmë zgjedhjet, do të lëmë që faktet të flasin për vete. Pastaj u mbetet institucioneve dhe partive se si do ti shfrytëzojnë këto të dhëna. Zgjedhjet janë shpallur për 5 qershor, nuk hyjmë më tej dhe veprojmë në bazë të datës së caktuar paraprakisht, por nëse ndodh diçka e paparashikuar, edhe atë do ta kemi parasysh. Por, atë që e kemi si informatë nga partitë, data është 5 qershori“, tha Petersen.
Petersen thotë që misioni mbikëqyrës nuk interesohet për rezultatin e zgjedhjeve, por për atë nëse procesi është transparent dhe i zbatuar sipas standardeve të OSBE.
Vlerësimin e parë të zgjedhjeve ODIHR do ta publikojë një ditë pas zgjedhjeve, e deri atëherë dy herë do të vlerësohet fushata zgjedhore.