Telegrafi risjell më poshtë intervistën për Javoren Politike Shqiptare “Zëri”, të ish-zëdhënësit të NATO-s gjatë luftës në Kosovë, tashmë zëvendësndihmës i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Jamie Shea. Intervistën me drejtorin e atëhershëm të Zyrës për Informacion dhe Shtyp në NATO, e ka bërë Agron Shala, në dhjetor 2001.
Kosova në vitin 2001 – pasi që lufta eskaloi në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni – ishte në shënjestër të kritikave të diplomatëve perëndimorë. A mendoni se Kosova e ka merituar epitetin e faktorit destabilizues në rajon?
KOSOVA NUK ËSHTË “DESTABILIZUES I RAJONIT”
SHEA: Nëse viti 1999 mund të thuhet se ishte viti i Kosovës për bashkësinë ndërkombëtare, nuk ka dyshim se ky titull sivjet ka kaluar në Maqedoni. NATO dhe UE, duke punuar së bashku, kanë bërë përpjekje të mëdha për ta parandaluar shpërthimin e luftës civile në Maqedoni dhe për të detyruar sllavët maqedonas në atë se e vetmja e ardhme e sigurt dhe prosperuese për shtetin e tyre qëndron në dhënien e të drejtave dhe trajtimin më të mirë të shqiptarëve etnikë. NATO-ja ka ndihmuar në këtë çështje edhe për faktin se situata në Kosovë në vitin 2001 ishte shumë më e mirë. Niveli i dhunës është reduktuar mjaft; një numër kufizuar i serbëve etnik pati mundësi të kthehet; ndërsa zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë ishin të drejta dhe të lira e pothuaj pa asnjë incident. Po të ishte Kosova jostabile, është vështirë të besohet nëse NATO dhe UE do të ishin të suksesshme në parandalimin e konfliktit në Maqedoni dhe detyrimin e sllavëve maqedonas që të pranojnë ndryshimet kushtetuese dhe reformat politike.
Prandaj, jo, nuk mund të them se Kosova ishte “destabilizuese në rajon”. Sidoqoftë, kishte tentime nga elemente të caktuara që të kontrabandonin armë përgjatë kufirit për ta ndihmuar Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni. Forcat e NATO-s kanë luajtur rol kryesor në ndaljen e këtij trafiku. Mund të shpresoj tash, pasi që UÇK është shpërndarë, se komuniteti shqiptar në Maqedoni do të jetë i aftë të kthehet nga kontrabandimi i armëve drejt pjesëmarrjes së plotë në jetën politike në Maqedoni. Shpresoj se të gjithë kosovarët do të duan t’i përkrahin ata në këtë përpjekje.
A mendoni se Evropa ka humbur vizionin për Ballkanin pas rënies së Milosheviqit në Serbi?
SHEA: Pa dyshim se ngjarjet e 11 shtatorit dhe konflikti në Afganistan ka tërhequr vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare nga Ballkani. Por, kjo vëmendje e reduktuar ishte po ashtu rezultat i faktit se Ballkani në vitin 2001 përjetonte vitin më qetë nga dhuna që nga viti 1990, përkundër disa ngjarjeve tragjike në Maqedoni.
NATO-ja DO T’I MBAJË TRUPAT NË BALLKAN
Po të shpërthente lufta civile në Maqedoni, Ballkani prapë do të ishte në “headline”, por jo në mënyrën e cila do të ishte e mirëseardhur. Duke thënë këtë, fokusi i ri në terrorizmin internacional pa dyshim do të nënkuptonte se liderët në Ballkan duhet të përgatiten që të marrin përgjegjësi më të mëdha për zhvillimet politike, ekonomike dhe shoqërore në vendet e tyre dhe në regjion. Ata nuk do të jenë në gjendje të mbështeten shumë në bashkësinë ndërkombëtare për të zgjidhur të gjitha problemet dhe për të ofruar siguri siç ishte rasti në të kaluarën.
NATO-ja do t’i mbajë trupat në Ballkan edhe për një kohë, por unë nuk mund ta mohojë faktin se ka presione për ta zvogëluar praninë ushtarake të NATO-s në rajon, pasi që aleatët ishin të detyruar të gjejnë një numër të madh të paqeruajtësve për Afganistanin dhe vatrat e tjera të krizës në glob.
Në anën tjetër, viti 2001 ishte vit i mirë për integrimin e ardhshëm të Ballkanit në Evropë. Maqedonia ka nënshkruar Marrëveshjen për Asociim me EU dhe NATO, ndërsa Jugosllavi ka filluar dialogu serioz politik me vizionin e Beogradit për bashkëngjitje në Partneritetin për Paqe të NATO-s më 2002. Fokusi i ri është më shumë në zhvillimet ekonomike dhe shoqërore sesa në menaxhimin e krizave ushtarake. Kjo pa dyshim se merr më shumë kohë dhe është më pak e dukshme në titujt televizivë. Por, ky është ndryshim i mirëseardhur që theksohet pas shumë viteve të spastrimit etnik dhe konflliktit të armatosur.
Në kontekstin e pyetjes së mësipërme, a mendoni se Evropa po a aplikon standarde të dyfishta: është më e “ashpër” ndaj shqiptarëve të Kosovë se ndaj serbëve (të cilët, përveç ekstradimit të Milosheviqit në Hagë, nuk kanë përfillur pothuaj asnjë prej kërkesave të Perëndimit)?
SHEA: Absolutisht, jo. Asistenca ekonomike e Beogradit ishte e ndërlidhur jo vetëm me ekstradimin e Milosheviqit, por, po ashtu, edhe me programin e reformave politike dhe ekonomike në tërë Jugosllavinë. Presioni ndërkombëtar ka rezultuar po ashtu në dorëzimin nga Beogradi të të akuzuarve për krime lufte, madje edhe me çmimin e provokimit të problemeve në seksione të caktuara të Armatës jugosllave. Në Serbinë jugore, NATO dhe UE ka bërë presion në Beogradin që të pranojë të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe në rajonet tjera e jo për të përdorë forcën e cila ishte e dukshme në Kosovë më 1999. Presioni në Beograd ka ndihmuar po ashtu në qasjen më kooperative të serbëve vendorë dhe nga Kosova, për të participuar në zgjedhjet dhe në strukturat e reja politike në Prishtinë.
KOSOVA NUK DUHET TË KTHEHET NË UDHËHEQJE DIREKTE TË BEOGRADIT
UE-ja dhe NATO-ja po ashtu kanë inkurajuar Serbinë dhe Malin e Zi për të arritur një marrëveshje thelbësore. Në Bosnjë presioni në lidershipin serb për të respektuar Marrëveshjen e Dejtonit ende nuk ka përfunduar. Dhe, në fund, ne kemi detyruar sllavët maqedonas në Maqedoni të pranojnë ankesat legjitime për të drejtat e komunitetit shqiptar. NATO-ja nuk merr anë. Ne nuk jemi për asnjë bashkësi në veçanti. Ne jemi për njerëzit e orientuar paqësisht, tolerantë, racionalë dhe kundër ekstremistëve.
A mendoni se mbajtja peng e statusit të Kosovës është kompromis ndaj tendencave ruse për rikthim të influencës në Ballkan?
SHEA: Jo. Të gjithë aleatët kanë nënshkruar Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, e cila e shtyn deklarimin e statusit të Kosovës për një periudhë më të vonshme. Sidoqoftë, të gjithë aleatët janë pajtuar se Kosova nuk duhet të kthehet në udhëheqje direkte të Beogradit, por që të gëzojë shkallë të lartë të autonomisë. Sipas këndvështrimit tim, çështja e statusit nuk mund të adresohet derisa Kosova nuk është e aftë të demonstrojë se mund të qeverisë veten dhe të sigurojë mirëqenie për qytetarët e saj. Kjo nënkupton demokraci funksionale, institucione efikase, të afta për të ofruar nevojat thelbësore për të gjithë kosovarët, shkallën e “modus vivendi” në mes të komuniteteve etnike dhe ekonomi substanciale. Zgjedhjet e fundit kanë fuqizuar liderët e Kosovës për të marrë përgjegjësi në arritjen e këtyre qëllimeve dhe unë shpresoj se janë këto zona ku ata do t’i koncentrojnë energjitë dhe përpjekjet e tyre në muajt e ardhshëm.
Në fillim të luftës në Maqedoni, diplomatët perëndimorë thoshin se njerëzit përgjegjës për shpërthimin e akteve të dhunës rrezikojnë interesat shqiptare në rajon, por, pastaj, UÇK-ja është shndërruar në interlokutor perëndimor për procesin paqësor në Maqedoni. A mendoni se shqiptarët e kanë dëshmuar veten si aleat të vërtetë të interesave të politikës perëndimore apo është e kundërta?
SHEA: Unë mendoj se komuniteti shqiptar në Maqedoni nuk donte luftë, por më shumë një marrëveshje për participim në jetën politike të vendit. Paqja gjithmonë nënkupton tërheqjen nga diçka dhe përgatitjen për kompromis. Këtu qëndron arsyeja pse është më vështirë të bësh paqen se luftën.
ËSHTË ZVOGËLUAR RREZIKU NGA SHPËRTHIMI I DHUNËS NË SERBINË JUGORE DHE NË MAQEDONI
Por, komuniteti etnik shqiptar në Maqedoni ka nënshkruar Marrëveshjen e Ohrit në gushtin e kaluar dhe ka pranuar të gjitha nga 15 ndryshimet kushtetuese që përfundimisht janë miratuar edhe nga Parlamenti maqedon. Në të njëjtën kohë, UÇK-ja është pajtuar të shpartallohet, të çarmatoset dhe t’ia dorëzojë armët NATO-s, madje në një numër më të madh të armëve se që jemi pajtuar gjatë operacionit Korrja esenciale në shtator. Tash është me rëndësi për shqiptarët dhe sllavët maqedonas që të punojnë së bashku për të implementuar ndryshimet e reja kushtetuese, pasi që marrëveshjet që nuk përmbushen kanë vlera të vogla.
Në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni serbët dhe maqedonët ende nuk kanë përmbushur të gjitha obligimet e shtruara nga Perëndimi. A mendoni se ende ekziston rrezik për shpërthimin e ri të dhunës nëse paqja afatgjate nuk zë vend edhe një kohë të gjatë?
SHEA: Gjithmonë ekziston një rrezik për ripërsëritjen e dhunës, derisa nuk implementohen tërësisht marrëveshjet e reja politika që u lejojnë shqiptarëve të participojnë si duhet në jetën ekonomike dhe shoqërore dhe përderisa kultura e tolerancës dhe demokracisë nuk lëshon rrënjët e saj. Por, unë besoj se rreziku nga shpërthimi i dhunës në Serbinë jugore dhe Maqedoni është zvogëluar. Vërtet, në Maqedoni vizioni i të qenit i akuzuar për krime lufte dhe përfundimi në gjykatoren e Hagës pa dyshim se ka frikuar shumë udhëheqës ushtarakë nga përdorimi i forcës brutale, në mënyrë se si kanë pësuar tragjikisht familjarët në Bosnjë, Kroaci dhe Kosovë disa vite më parë.
Por, sikur që ka thënë në shekulli XIX liberali britanik Jeremy Bentham, “Çmimi i lirisë është vigjilenca e përhershme”, komuniteti ndërkombëtar do të mbetet i angazhuar në Serbinë jugore dhe në Maqedoni për t’u bindur se premtimet përkitazi me të drejtat njerëzore dhe politike do të respektohen dhe se forcat policore dhe të sigurisë do të sillen me përgjegjësi. NATO dërgon ekipet e saj çdo muaj në Serbinë jugore dhe ka vendosur afro 1.000 ushtarë në Maqedoni nën misionin Dhelpra e Kuqërremtë për të mbrojtur monitoruesit e UE-së dhe të OSBE-së. Ky mision ka vazhduar edhe për tre muajt e ardhshëm. Konferenca ndërkombëtare e donatorëve për Maqedoni është frenuar vazhdimisht, përderisa nuk adaptohen ndryshimet kushtetuese. Unë besoj se kjo demonstron se NATO-ja dhe komuniteti ndërkombëtar po punon shumë për të qenë i kënaqur dhe do të shtrojë presion sa herë që kërkohet për të ecur përpara reformat politike dhe masat e ndërtimit të mirëbesimit. Ne duhet të mbesim shumë të ashpër ndaj dhunën nga cilado anë qoftë, t’i izolojmë ekstremistët dhe bindin liderët politikë se përdorimi i forcës nuk do të ofrojë zgjidhje për marrëdhëniet shumicë-pakicë apo çfarëdo problemi tjetër në atë çështje.
Cili është, prapë, mendimi juaj për zgjedhjet që u mbajtën në Kosovë, më 17 nëntor?
KAM BESIM TE SHQIPTARËT
SHEA: Jam shumë i kënaqur. Ishin të lira dhe të drejta, me shumë pak probleme dhe kosovarët dëshmuan maturinë e tyre politike, duke votuar për parti të ndryshme, pra duke dëshmuar se duan të kenë zgjedhje demokratike si çdo qytetar tjetër. Ishte po ashtu kurajuese se më shumë se 60 për qind e serbëve të kualifikuar për votim kanë vendosur ta bëjnë këtë, duke pranuar se përmirësimi i statusit të tyre do të realizohet më mirë me dialog dhe participim se me bojkot. Unë besoj se qeveria e re ekzekutive në Kosovë do të formohet së shpejti dhe se kryetari do të zgjidhet.
A mendoni se zgjidhja e çështjes shqiptare në Ballkan është çelësi për stabilitetin në rajon?
SHEA: Po dhe qartas në këtë aspekt viti 2001 ishte vit i mirë. Zgjedhjet në Kosovë kanë siguruar bazat për ushtrimin e një autonomie reale. Zgjedhjet në Shqipëri, të cilat kthyen të njëjtën parti në pushtet, treguan se shteti tash është edhe më shumë stabil. Ndërsa, shqiptarët etnikë në Maqedoni tash kanë arritur marrëveshje politike që u mundëson atyre të luajnë rolin e tyre të plotë në jetën politike, por edhe ekonomike të vendit. Pra, me fjalë të tjera, shqiptarët tash pranohen si komunitet me të drejtën për të gëzuar liritë dhe të drejtat njerëzore si çdo grup tjetër në Evropën juglindore. Ata nuk janë nën dhunë apo të nënçmuar dhe kjo paraqet përmirësimin e gjatë e të vonuar të padrejtësive historike. Mirëpo, marrëdhëniet midis sllavëve dhe myslimanëve në Bosnjë do të jenë po ashtu çelës për të ardhmen e regjionit, si dhe fitorja e fundit e demokratëve dhe e njerëzve që janë të gatshëm dhe të përkushtuar në të mirat e komunitetit e jo për kriminelët, ekstrmistët dhe profiterët.
Cili është mesazhi juaj për kosovarët në vitin 2002?
SHEA: Nën një: e ardhmja kurrë nuk është perfekte, por do të jetë shumë me e mirë se më parë. Nën dy: Më mungoni ju dhe më mungon Kosova. Shpresoj se në vitin 2002 do të jem në gjendje t’ju rivizitoj, sipas të gjitha gjasëve në pranverë. /Telegrafi/
______________________________
THE BEST OF JAMIE SHEA (1999)
• A mund t’i them dy gjëra për këtë. Së pari, mendoj se më shumë tym vjen nga fshatrat e djegura të Kosovës…
Së dyti, nëse ka rrezik ambiental nga ajo, pse nuk janë evakuuar të gjithë njerëzit nga rajoni…
Së treti, kjo menjëherë mund të ndalet, sot, nëse kryetari Milosheviq, thjesht pranon kushtet e komunitetit ndërkombëtar…
(Përgjigjja e Jamie Sheas ndaj pyetjes së një gazetari serb për tymin dhe katastrofën ekologjike, që gjoja ka shkaktuar sulmi i NATO-s mbi rafinerinë e Pançevës)
• Nuk e kemi sulmuar fabrikën e duhanit, ndonëse jemi simpatizues të fushatës për luftë kundër kancerit të mushkërive… Këto shënjestra ishin shënjestra ushtarake…
(Përgjigjja në pyetje e një gazetari amerikan se çfarë i ka detyruar t’i bombardojnë fabrikat serbe)
• Kryetari Milosheviq ka shumë gjeneratorë shtesë. Ushtria e tij ka qindra nga to. Ai mund t’i përdor për t’i furnizuar spitalet, shkollat, apo ushtrinë e tij. Kjo është zgjedhje e tij. Nëse kjo i shkakton atij kokëdhembje, kjo pikërisht është ajo që ne dëshirojmë t’i shkaktojmë dhe nuk do të kërkojmë falje për këtë…
50 për qind e refugjatëve në Shqipëri dhe Maqedoni janë nën moshën 18-vjeçare… 40 për qind e tyre janë nën moshën 14-vjeçare. 20 mijë janë me më pak se një vit dhe së paku 100 mijë foshnja kanë lindur prej krizës në mars, në këto kampe refugjatësh, pa inkubator, pa rrymë, pa ndihmë mjekësore, pa ujë, pa kulm mbi kokë, pa asgjë…
(Përgjigjja në pyetjen e një gazetari francez për spitalet serbe, që si rezultat i sulmeve të NATO-s punojnë pa rrymë)