Telegrafi

James i pandalshëm, Lakers mposhtin në udhëtim Milwaukeen – Fitojnë edhe Knicks dhe Utah Jazz

Los Angeles Lakers është rikthyer te fitorja pas asaj humbje befasuese nga Golden State Warriors.

Kampioni në fuqi ka treguar forcën reale që ka, pasi ka triumfuar ndaj njërit nga favoritët për titull Milwaukee Bucks.

Pas 48 minutave lojë të zhvilluara në Fiserv Forum të Milwaukees, Lakers arritën fitoren me shtatë pikë diferencë 106:113.

LeBron James ishte i jashtëzakonshëm në këtë sfidë duke shënuar 34 pikë, pati tetë asistime, gjashtë kërcime, një top të vjedhur dhe një bllokadë.

Me lojë të mirë tek Lakers u dallua edhe Caldwell-Pope që shtoi 23 pikë, ndërsa Anthony Davis e mbylli takimin me 18 pikë e nëntë kërcime.

Tek vendasit tre basketbollistë shënuan mbi 20 pikë në këtë takim, Giannis Antetokounmpo (25), Jrue Holiday (22) dhe Khris Middleton me 20 pikë të tjera, por që nuk i mjaftuan Bucks të dalin triumfues nga kjo përballje.

Me triumfin e mbrëmshme, Lakers mbesin skuadra me bilancin më të mirë në NBA ku kanë  12 fitore e katër humbje, ndërsa Milwaukee mbetet në pozitën e tretë në Konferencën e Lindjes me nëntë fitore e gjashtë disfata.

Në dy takimet tjera të natës së mbrëmshme New York City triumfoi në udhëtim te Golden State Warriors me 15 pikë diferencë 104:119, ndërsa Utah Jazz u treguan të fortë për New Orleans Pelicans që i mposhtën me rezultat 129:118.

Rezultatet:

Milwaukee Bucks – LA Lakers 106:113

Golden State Warriors – New York Knicks 104:119

Utah Jazz – New Orleans Pelicans 129:118.

/Telegrafi/