James Mackey – nga departamenti i çështjeve politike dhe të sigurisë pranë NATO-s do të jetë përfaqësuesi kryesor i Aleancës Veritlantike në bisedimet para-aderuese me Maqedoninë, njofton Alsat.
Mackey në fund të muajit pritet të mbërrijë në Maqedoni për të shënuar nisjen e bisedimeve para-aderuese. Megjithatë një burim i lartë i NATO-s thekson se bisedimet para-aderuese tashmë mund të konsiderohen si të nisura që nga momenti i marrjes së ftesës për anëtarësim.
Tani i mbetet Maqedonisë që ta përgatisë ekipin e saj për bisedimet para-aderuese me NATO-n, i cili duhet të jetë i përbërë nga përfaqësues të ministrive të ndryshme dhe institucioneve të tjera.
Bisedimet para-aderuese pritet të përfundojnë më së voni deri në mars të vitit 2019, ndërsa deri atëherë Maqedonia do të duhet ta finalizojë marrëveshjen me Greqinë për emrin, me qëllim që vendet anëtare të NATO-s të nisin ratifikimin e protokollit aderues. Procesi i tërësishëm i anëtarësimit pritet të përfundojë brenda një viti e gjysmë.