Site icon Telegrafi

Jam zezak

Ilustrim

Ju trimat që e keni çarë historinë me shpatë në dorë, ju që i keni rezistuar turkut me qindra vjet, e keni kapur topin për grike, keni flakur në det Italinë, keni hedhur gunat përmbi tela, i keni hipur tankut zbathur dhe me granatë në dorë, ju qengjat e butë që i keni derdhur plumb në gojë armiqve të egër, ju që keni bërë dhe plot e plot trimërira të tjera, po tuteni tani nga tre mijë afrikanë jabanxhinj në hall që do rrinë nja dy muaj brenda një kampi në Lezhë.

Ju famëzinjtë që keni hedhur në erë kisha e xhamia, keni spiunuar njëri-tjetrin, keni folur broçkulla komuniste nëpër mbledhje, keni aprovuar me duartrokitje të stuhishme dënime kriminale, në vend që të pendoheni e t’i luteni Zotit t’ju falë gjynahet, tani pini kafe, hani mish, shëtisni në internet, shkoni në plazh, bëni ‘selfie’, vrisni e prisni tjetrin për mustaqet e Çelos, ikni në Gjermani, Angli, Amerikë, as këtë herë të vetme që u erdhi rasti të bëni diçka humane nuk po e luani bythën venit.

Ju që ç’u sheh syri u vjedh dora, ju që rrogat ua fal Evropa, rrugët e reja i bëni me pare nga bota, çdo të mirë materiale e importoni se vetë nuk prodhoni dot asgjë, refuzoni një kontribut minimal për ca të mjerë që vinë nga tmerri, nga lufta, nga Afrika.

Justifikimet tuaja se ikanakët e fukarallëkut me ngjyrën e lëkurës dhe tendencën për kriminalitet, do falimentojnë turizmin e veriut, do pushtojnë Kalanë e Lezhës, do ia përdhosin varrin Skënderbeut, do ndryshojnë demografinë e zonës, do ndotin racën, e të tjera e të tjera turpe e tmerre e çmenduri që s’i rrok rradakja e s’i nxë goja, për një mendje minimalisht normale, përveçse të pavërteta janë të padenja, janë të neveritshme, janë të shëmtuara. Me i pranu të gjithë ardhacakët e urisë dhe të luftërave nga Afrika në Evropën e supermarketave me ushqime të ambalazhuara për qen e mace, është punë që s’bëhet. Evropianët, nga Lampedusa në Oslo dhe nga Lisbona në Ankara, do bëheshin gardh, s’do lejonin asnjë. Mos me pranu asnjë afrikan në Evropë. Edhe kjo për një mijë arsye s’bëhet. Zgjidhja, si çdo zgjidhje e negociuar, ndodhet diku mes këtyre dy skajeve.

Ku pikërisht?

Këtë s’mund dijë çdo hajn që vjedh dhe bërtet e ulëret të mbulojë vjedhjet me rrena, as çdo delirant që pjerdh në gazetë, çdo i shitur që 10 në televizion, çdo halabak që ngrefoset në “Fejsbuk”, apo çdo militant që çirret në mitingje në pritje të kockës. Këtë e dinë ata që kanë bërë shkollën, ata që kanë vizionin, guximin, vetësakrifikimin: politikanët vizionarë, qeveritarët e ndershëm, gjeostrategët, ligjbërësit, ligjzbatuesit, për të cilët i vetmi kallauz është ligji. Duke dashur vetëm të merrni dhe kurrë të mos jepni, duke preferuar të mbeteni gjithmonë “shatë” e duke mos u bërë kurrë “lopatë”, me refuzimin për të pritur të arratisurit nga xhunglat që duan të shpëtojnë kokën, po gaboni. Po ashtu si lëkurbardhët nuk janë të gjithë Njutona, Ajnshtajna, Çurçilla, edhe bohemët e fatit më të zi se lëkura, nuk janë të gjithë Louis Armstronga, Martin Luther Kinga, apo Michael Jacksona, por nuk janë as skafistë nga Labëria, e as trafikantë nga Tropoja.

Pse shqiptarët nuk mirëpresin afrikanë?

Sepse shqiptarët kanë një defekt të madh: Dinë të rrinë ngjeshur e ngjeshur, bythë më bythë me familjen, fisin, njëri-tjetrin, pra kanë vetëdije komunitare primitive. Por, nuk kanë vetëdije komunitare integrale, as lokale, as evropiane. Prandaj, ngushtohen çdo ditë në hapësirë dhe janë çdo ditë e më pak në numër. Para tablosë së turpshme të mungesës së mikpritjes, monitorët evropianë bëjnë prognoza dhe marrin masa për shqiptarët që kërkojnë të hyjnë në Evropë duke u kërkuar evropianëve hiç më pak se atë që atyre vetë u mungon, atë me të cilën janë mburrur në shekuj, mikpritjen.

Ju që i keni çuar Italisë mijëra e mijëra arabë, turq, egjiptianë, kinezë, shumë prej të cilëve duke u premtuar t’i çoni nga Vlora në Brindizi, i çuat nga Vlora në Shëngjin dhe i mbytët në det sa e mbuluat Adriatikun me rënkime që dëgjohen ende sot, tani trembeni nga tre mijë zeshkanë që edhe nëse janë kanibalë, nuk hanë brenda fisit, ndërsa ju nuk kurseni as nënë as babë. Kundërshton shumica? Cila shumicë? Ata që po të të shihnin duke ecur anës lumit në Librazhd 60 kilometra nga kufiri, të spiunonin se doje të arratiseshe në Jugosllavi? Verdikti i kësaj shumice nuk vlen. Përpara se të dëgjoj çfarë thotë kjo shumicë e egër, preferoj të dëgjoj dhe të pranoj çfarë më këshillon zemra e butë, të jem zezak.

 

 

Exit mobile version