Ish-presidenti amerikan Donald Trump ka postuar në Facebook për herë të parë që nga 6 janari i vitit 2021, ditë në të cilën demonstruesit sulmuan ndërtesën e Capitolit.
“U RIKTHEVA!”, shkroi Trump në postimin e tij, i cili përfshinte një video të shkurtër nga nata kur u zgjodh president, gjatë së cilës ai tha: “Më falni që ju mbaj në pritje. Punë e komplikuar. E komplikuar”.
Rikthimi i Trumpit në Facebook e kthen qasjen në një mjet të rëndësishëm për mbledhjen e fondeve në fillim të garës presidenciale të vitit 2024, teksa disa rivalë potencial rreshtohen për të sfiduar Trumpin në përpjekjen e tij për t’u bërë kandidati i GOP për zgjedhjet e treta me radhë, dhe si gjithashtu disa donatorë të pasur tregojnë një dëshirë për të mbështetur një alternativë tjetër, raporton CNN, transmeton Telegrafi.
Llogaritë e ish-presidentit në Facebook dhe Instagram ishin ndaluar para dy vitesh, bllokadë kjo e cila vijoi pas trazirave në Capitol Hill. Ato u rikthyen në fillim të muajit të kaluar pasi ekipi fushatës të Trump për zgjedhjet në vitin 2024 i kërkoi Metës, kompanisë mëmë të këtyre dy platformave, të zhbllokonte llogarinë e tij në Facebook.
Postimet e Trump më 6 janar 2021 përfshinin gënjeshtra në lidhje me zgjedhjet dhe një sulm ndaj zëvendës-presidentit të atëhershëm Mike Pence, përpara se t’u bënte thirrje protestuesve të ishin paqësorë.
Komiteti i përzgjedhur i Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e 6 janarit, në fakt përdori disa nga postimet e ish-presidentit të bëra në platformat e rrjeteve sociale nga ajo ditë për të shfaqur mosveprimin e tij teksa shpërtheu dhuna nga masa e cila ishte mbledhur në mbështetje të tij.
Megjithëse Twitter ishte platforma e preferuar e mesazheve të Trump në zgjedhjet e mëparshme, ai ka një shtrirje masive në Facebook dhe Instagram – respektivisht 34 milionë ndjekës te e para, dhe 23 milionë të tillë tek platforma e dytë. Ekipi i tij i fushatave ka shpenzuar miliona dollarë në reklama duke përdorur mjetet e reklamimit të “targetuar” të Facebook. /Telegrafi/