Telegrafi

“Jam i lumtur, ndihem si në shtëpi”, Arbnor Muja flet pas debutimit me gol te Samsunspori

Sulmuesi shqiptar, Arbnor Muja ka shënuar në debutim të skuadra turke, Samsunspor dhe pas ndeshjes ka treguar ndjenjat që po përjeton në ditët e para.

Djaloshi mitrovicas la Anëterpin për t’u transferuar te klubi turk dhe vetëm pas tri ditësh debutoi me fanellën e Samsunsporit në fitoren 2-0 ndaj Antalyasporit.

25-vjeçari u inkuadrua në minutën e 69-të në ndeshjen e javës së 25-të dhe shënoi nga brenda zonës në minutat shtesë për rezultatin përfundimtar.

Lexo po ashtu Arbnor Muja shënon gol në ndeshjen debutuese me Samsunspor

Pas debutimit dhe golit, Muja u intervistua nga mediat turke, ku nuk hezitoi të tregoj se ndihet i lumtur me golin, fitoren dhe te klubi i ri ndihet si në shtëpi.

“Mendoj se ishte ndeshje e vështirë dhe jam i lumtur që fituam. E kam ditur që një atmosferë e tillë na pret në stadium, pasi kemi tifozë të jashtëzakonshëm. Jam po ashtu shumë i lumtur që jam lojtar i Samsunsporit. Kam shënuar golin e parë në ndeshjen e parë dhe kjo më bëri shumë të lumtur”, ka thënë fillimisht Muja pas ndeshjes.

“Jam për kohë të shkurtër këtu, për vetëm tri ditë. Por, ndihem mirë, ndihem si në shtëpi. Bashkëlojtarët, stafi i klubit dhe trajnerët janë faktor i madh që më bëjnë të ndihem kështu”.

“Jam i lumtur për këtë. Nuk është e lehtë të adaptohesh kaq shpejt, për vetëm një apo dy ditë. Do të punojmë shumë që të vazhdojmë me rezultate pozitive”, përfundoi sulmuesi shqiptar. /Telegrafi/