Site icon Telegrafi

“Jam krenar që përfaqësoj Kosovën” – Yll Abazi nga Gjilani ftohet në Kombëtaren e Kosovës U19 në futsall

Sulmuesi i Dritës nga Gjilani, Yll Abazi, është ftuar nga përzgjedhësi i Kombëtares U19 të Kosovës në futsall, Suad Keçi, për të përfaqësuar Kosovën në ndeshjet para-kualifikuese që do të mbahen në San Marino.

Në një prononcim për Telegrafin, Abazi është shprehur tejet i emocionuar për këtë mundësi, duke theksuar synimin për t’u renditur në krye të grupit.

“Jam shumë i nderuar dhe i gëzuar që do ta vesh fanellën e shtetit tim. Do të jap maksimumin për të nderuar Kosovën dhe për të ndihmuar ekipin të arrijë qëllimet,” ka thënë Abazi, duke falënderuar përzgjedhësin për besimin e treguar ndaj tij.

“Përzgjedhësi Suad Keçi është gjithashtu optimist për suksesin e ekipit. Besoj se do të kualifikohemi për garat e ardhshme dhe do të japim maksimumin për rezultate pozitive. Ky rrugëtim me Kombëtaren e Dardanëve të rinj është diçka e veçantë për mua, duke nderuar familjen dhe shtetin tim”, ka shtuar ai.

Yll Abazi, i cili është një nga lojtarët më premtues të futbollit kosovar, ka treguar formë të shkëlqyer këtë sezon, duke shënuar 9 gola dhe asistuar në 4 raste gjatë stinorit vjeshtor.

Ai e sheh këtë ftesë si një mundësi për të përfaqësuar Kosovën me krenari dhe për të ndihmuar ekipin në arritjen e objektivave.

“Ky është një moment i veçantë për mua. Do të jap gjithçka për ekipin dhe shpresoj të rikthehemi në Kosovë me kokën lart,” ka shtuar ai.

Kombëtarja U19 do të zhvillojë ushtrime intensive për dy ditë radhazi para nisjes drejt San Marinos më 22 janar. Aty do të zhvillohen ndeshjet kundër Azerbajxhanit dhe San Marinos, të cilat do të jenë vendimtare për suksesin e ekipit.

“Gara do të jetë e fortë, pasi çdo Kombëtare ka synimet e veta, por ne do të japim maksimumin për të arritur rezultate pozitive. Ekipi ynë ka potencial dhe frymë bashkëpunimi, që janë çelësi i suksesit,” ka përfunduar Abazi.

Skuadra e Kosovës U19 do të udhëtojë drejt San Marinos më 22 janar dhe do të qëndrojë atje deri më 26 janar për të zhvilluar ndeshjet ndaj Azerbajxhanit dhe San Marinos. Këto përballje do të jenë vendimtare për synimet e Kombëtares së Kosovës në garat e ardhshme. /Telegrafi/

Exit mobile version