Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me Policinë Vlorë në qytetin bregdetar kanë arrestuar në flagrancë shtetasit Dijar Xhema, 29 vjeç, lindur e banues në Mitrovicë, Kosovë.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi ka dhunuar fizikisht, psikologjikisht dhe ka tentuar të rrëmbejë me mjetin e tij ‘Audi’ me targa KS02300CO, tre shtetas me inicialet: B.N, N.I, dhe F. D. në vende të ndryshme të qytetit të Vlorës brenda një harku kohor prej 2 orësh.
Këto veprime ky shtetas i ka shoqëruar me thirrjet në vende dhe ambiente publike si “Allahu Akbar”, “Jam i dërguari i Allahut”, dhe “Do ju vras të gjithëve”.
Nisur nga veprimet e kryera, informacionet e dhëna nga qytetarë dhe reagimi në kohë rekord i strukturave të policisë u lokalizua dhe u neutralizua autori i dyshuar i këtyre akteve duke bërë kështu parandalimin e disa ngjarjeve të rënda kriminale me pasoja dhe impakt në publik.
Policia thotë se ky shtetas si gjatë arrestimit dhe në ambientet e shoqërimit ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë, përcjellin mediat shqiptare.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar si Cannabis Sattiva.