Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) ka rekomanduar që ilaçi antiviral Remdesivir të autorizohet për përdorim për të trajtuar pacientët me COVID-19 në Bashkimin Evropian.
Kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi ka thënë për RTV Dukagjinin se bari i njëjtë është përdorur edhe kundër EBOLA-s dhe virusëve SARS dhe MERS që janë lloje të coronavirusëve.
Jakupi thotë se edhe Kosova do të bëjë përpjekje për të siguruar një sasi të dozave në mënyrë që të njëjtët të përdoren në pacientët që kanë gjendje më të rëndë.
“Edhe ne si shtet do të bëjmë përpjekje për të siguruar disa doza të paktën për pacientët që janë në gjendje kritike”, tha ai, përcjell Telegrafi.
I pari i Odës së Farmacistëve të Kosovës thotë se bari duhet të bëhet në kushte klinike pasi mund të ketë efekte anësore.
Ai thotë se ky ilaç është vërtetuar se ndalon shumëzimin e viruseve COVID-19 në trupin e njeriut.
“Është i pari ilaç që është aprovuar për të trajtuar të sëmurit më këtë virus”.
Jakupi thotë se në bazë të testimeve është vërtetuar se me këtë ilaç pacientët e prekur me COVID-19 kalojnë simptomat shumë më shpejt./Telegrafi/