Site icon Telegrafi

Jakov Xoxa që më erdhi në mendje këto ditë

Jakov Xoxa

Nga: Ndriçim Kulla

Jakov Xoxa më erdhi në mendje këto ditë kur mora në dorë numrin e fundit të revistës së njohur javore amerikane “Time”, atë për javën 25 prill-2 maj të këtij viti. Në kopertinë këtë herë kjo revistë veçonte si çështje madhore atë të mjedisit global. Titulli i madh në kopertinë është “Earth Inc”, që në shqip do të thotë “Korporata Tokë”.

Me këtë titull revista e përshëndet një zhvillim të kohëve të fundit, që biznesi i madh ka marrë në dorë çështjen e luftës kundër ndryshimeve të dëmshme klimatike që kanë pasoja mbi mjedisin. Madje, në faqen e parë është edhe një titull tjetër miratues, “Ecopreneurs”, që është kombinim i dy fjalëve “ecology” dhe “enterpreuner” (sipërmarrës-biznesmen), që formojnë një fjalë të vetme që do të thotë: biznesmen që kujdeset dhe merr përgjegjësi për çështjet mjedisore.

Revista e paraqet bukur këtë zhvillim të ri, duke paraqitur në kopertinë një pemë trungu i së cilës ka përshkuar një tavolinë të një zyre biznesi, ndërsa rrënjët e pemës depërtojnë në dyshemenë e sallës. Dhe, pas këtij vetëdijesimi të biznesit të madh për çështjet mjedisore qëndron sigurisht puna e mendimtarëve ekologjistë që për disa breza kanë dhënë alarmin për pasojat mbi klimën dhe mjedisin të shfrytëzimit të keq të natyrës nga njeriu. Pra, në origjinë është mendimtari, intelektuali i shqetësuar për çështjet mjedisore dhe klimatike, i cili e ka kauzë të sinqertë këtë angazhim dhe nuk e bën për të nxjerrë përfitime financiare.

Në Shqipëri nuk kemi ende mendimtarë të tillë, kemi vetëm njerëz të llojit të dytë me shumicë, “personalitete” ekologjike të OJQ-ve që marrin donacione nga ambasadat dhe fondacionet e huaja dhe thonë slogane mjedisore nëpër studio televizive apo thërresin kamerat televizive kur mbushin ndonjë thes plastik me plehra nëpër plazhe. Apo mendimtarë sharlatanë që e kanë nisur angazhimin e tyre si aktivistë mjedisorë dhe pasi bëhen të njohur si të tillë, na dalin edhe si pellazgologë, okultistë, spiritistë e kushedi c’marrëzi tjetër duhet pritur prej tyre. Dhe, nuk mund të mos bëhet pyetja se mos ndoshta këta njerëz paguhen për ta zhvlerësuar figurën e mendimtarit ekologjist dhe vetë kauzën ekologjike në Shqipëri pasi nuk mund të çmenden kështu papritur.

Shkurt, na mungon mendimtari i vërtetë, serioz ekologjist. Por, nëse nuk e kemi në të sotmen, duhet ta kërkojmë në të kaluarën se mendimi shqiptar i së shkuarës është një thesar ende i pazbuluar sa duhet.

Një mendimtar i tillë i së kaluarës më erdhi në mendje duke mbajtur në dorë revistën. Revista e kishte bërë këtë numër të posaçëm për çështjet mjedisore, me rastin e ditës ndërkombëtare së Tokës që është në 22 prill. Një javë para ditës së Tokës ka lindur Jakov Xoxa, i cili meriton të quhet si shkrimtari shqiptar që ka zhvilluar në veprën e vet një filozofi të tërë të mjedisit.

Te shkrimtarët që i përkasin brezit të Jakov Xoxës (1923-1979), por edhe në ata që krijuan edhe dy dekada pas vdekjes së tij, nuk gjen shqetësimin për tokën, ujërat, në kuptimin ekologjik të fjalës. Është një mungesë kjo edhe te vepra e Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit. I vetmi përjashtim është një poezi e Ismail Kadaresë e viteve shtatëdhjetë për erozionin e tokës.

Në periudhën kur jetoi Jakov Xoxa, por edhe së paku për dy dekada pas vdekjes së tij, shteti në Shqipëri nuk e kishte shqetësim as me fjalë mbrojtjen e mjedisit. Nuk dua që ta fajësoj shtetin komunist më tepër se ç’e meriton pasi edhe ata që erdhën pas tij nuk është se treguan përgjegjshmëri për mjedisin. Shteti komunist ishte i rrëmbyer nga entuziazmi për të bërë ndryshime të mëdha në vend që preknin dhe mjedisin. Kanale të mëdha ujitëse, diga të hidrocentraleve dhe ujëmbledhës, punime të mëdha këto që ndryshonin rrjedhën e lumenjve, diku e pakësonin, diku e shtonin, diku e devijonin. Prioritet kishte realizimi i projekteve të mëdha ndërtimore dhe industriale, ndërsa pasojat mjedisore shiheshin si të dorës së dytë.

Procesi i bonifikimit të tokave, pra tharja e kënetave shpesh shkonte përtej masës që ishte e nevojshme, duke zhdukur edhe bërthamën liqenore, pra liqenet e dikurshme që ishin shndërruar në këneta nga dalja e lumenjve nga shtretërit e tyre dhe që mund të restauroheshin me pak kujdes dhe të bëheshin pasuri e madhe mjedisore. Hapja e tokave të reja duke shkatërruar zona të pyllëzuara sillte dëme që do të kuptoheshin më vonë. Shfrytëzimi i minierave duke gjetur si rrugën më të lehtë për hedhjen e mbetjeve të mineraleve të përpunuara atë të hedhjes së tyre në zonën përreth pavarësisht se aty pranë kishte përrenj që e shpinin ujin në lumenjtë dhe liqenet apo drejtpërdrejt lumenj, kishte gjithashtu pasoja të rënda mjedisore. Por, këto shiheshin si efekte anësore të zhvillimit ekonomik të vendit, të cilat do të zgjidheshin më vonë.

Kuptohet që asnjë shkrimtar i asaj kohe nuk mund të guxonte të jepte alarmin për këto problem pasi me siguri që do ta shpallnin sabotator dhe armik të popullit dhe do ta akuzonin se donte të pengonte përparimin ekonomik të vendit. Por, Jakov Xoxa e gjeti mënyrën që të tërhiqte vëmendjen për problemet mjedisore, në mënyrën e tij.

Për këtë mjafton të sjellim si provë titullin e të parit roman madhor të tij “Lumi i vdekur”. Në këtë titull, me dy fjalë është përmbledhur një filozofi e tërë mjedisore. Një lumë mund të vdesë ashtu si një qenie e gjallë. Lumi i vdekur në romanin e Jakov Xoxës është në fakt shtrati i zbrazët i një lumi të dikurshëm i cili ka ndryshuar drejtim. Ky ish-lumë përbën një fenomen të çuditshëm natyror. Kur uji i detit ngrihej shumë duke qenë batica veçanërisht e fortë, atëherë shtrati i zbrazët I lumit mbushej me ujin e detit, i cili pastaj pasi kishte mbushur shtratin dilte prej tij duke përmbytur gjithë zonën përreth. Kështu, shtrati i zbrazur i lumit shërbente si një kanal për të shpënë ujin e detit në thellësi të tokës. Pas këtij paradoksi natyror me pasoja të dëmshme ishte dora e njeriut që gjatë shumë shekujve kishte shpyllëzuar zonën në dy anën e brigjeve të lumit duke shkaktuar erozionin e tokës.

Lumi i vdekur real i romanit të Jakov Xoxës ishte fare pranë qytetit të vjetër të Apollonisë gjë që e bën një provë se edhe të vjetrit e kanë dëmtuar mjedisin, por nuk bënin dot dëme të mëdha sa pasardhësit e tyre të epokës industriale meqë nuk kishin në dorë teknologjinë e tyre. Zhavorri për ndërtimin e qytetit të famshëm antik duhet të jetë marrë pikërisht në shtratin e këtij lumi gjatë më shumë se dhjetë shekujve të ekzistencës së Apolonisë si qytet i madh. Kjo do të thotë se kostoja mjedisore e zhvillimit urbanistik, ekonomik, që sjell me vete qytetërimi, është e pashmangshme, por kjo nuk duhet të jetë një shfajësim për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë pasi të vjetrit nuk kanë pasur mundësitë teknologjike të sotme për të mbrojtur mjedisin, dhe nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë dëmet që mund të bëjë njerëzimi sot.

Kujdes, lumenjtë mund të vdesin nëse ata dhe zona përreth tyre shfrytëzohet pa u menduar dhe pastaj ata ringjallen të zemëruar dhe risjellin katastrofa! Këtë gjë e kanë provuar paraardhësit tanë, por mund të ndodhë përsëri. Kjo mund të ndodhë jo vetëm me lumenjtë, por me natyrën në përgjithësi. Ky ishte një paralajmërim ekologjik që vinte nga titulli dhe përmbajtja e romanit të Jakov Xoxës.

“U ngjall lumi i vdekur, mjerë të gjallët”, thonë njerëzit në romanin e Jakov Xoxës. Është një histori që nuk ka ndodhur vetëm në Myzeqe, por edhe në vise të tjera të Shqipërisë, madje edhe në kohën tonë. Historinë e lumit të vdekur e kam përjetuar në mënyrë paradoksale në shekullin XXI në veri të Shqipërisë, në dimrin e viteve 2009-2010. Në fund të vitit 2009 shoqërova një studiues të huaj në një udhëtim në qytetin e Shkodrës. Në kohën që ne ishim në qytet nisi përmbytja e madhe e atij dimri kur siç thoshin shkodranët me humorin e tyre të njohur: Tani nuk na mungojnë veç gondolat që Shkodra të quhet “Venecia” e Shqipërisë!

Ishte koha kur Shkodra përmbytej nga Lumi Buna dhe një ministër me origjinë nga Myzeqeja e Jakovit, i cili për shkak të reshjeve të mëdha duhet të urdhëronte në mes të përmbytjes hapjen e portave të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit pasi rrezikoheshin digat, tha me dëshpërim fjalët që u kthyen në barcaletë: “Deti duhet të thithë ujin e lumit, por deti po shtyn dhe nuk po thith!”

E kishte fjalën për ujin e Lumit të Bunës që derdhej në Adriatik, por që në këtë rast shtyhej nga deti. Kjo rriste prurjet e Bunës, që në vend të derdheshin në det shtyheshin prej tij për shkak të ngritjes së nivelit të detit dhe dallgëzimit të rritur.

Ishte krijuar pra një situatë si ajo e lumit të vdekur të romanit të Jakov Xoxës. Dhe, kjo gjë po ndodhte sepse në kushte të ngjashme ka fenomene të ngjashme natyrore. Në fakt edhe këtu problematika kishte në origjinë një lumë të vdekur.

Pikërisht këtë gjë po përpiqesha t’ia shpjegoja të huajit i cili shikonte me habi pamjen spektakolare të ujit që vërshonte nga tunelet e hapura në anë të digave të hidrocentraleve dhe nuk e kuptonte sesi mund të hapeshin portat për vërshimin e ujit në mes të përmbytjes. Kjo e rëndonte problematikën e krijuar nga Lumi Drin i cili tani po fryhej edhe më tepër nga uji i shtuar nga hapja e portave të digave të hidrocentraleve.

Befas m’u kujtua ajo që kishte shkruar Dom Ndoc Nikaj në librin e tij me kujtime të cilin e kisha botuar unë. Dom Ndoci thoshte se diku nga mesi i shekullit XIX, Lumi Drin kishte lënë shtratin e vjetër pranë grykëderdhjes së tij në det, duke kaluar në një shtrat të ri nëpërmjet të cilit tani nuk derdhej më direkt në det por në Lumin e Bunës. Pra, në këtë histori kishte një lumë të vdekur, që jo vetëm ishte origjinë të problemit, por që tani ishte ringjallur në kuptimin që në shtratin e të cilit tani kishin vërshuar përsëri ujërat duke rënduar gjendjen e zonave të përmbytura.

Një fenomen shumë i ngjashëm pra me atë të lumit të vdekur që përshkruan Jakov Xoxa në romanin e tij dhe që ndodh në Shqipërinë e shekullit XXI! Meqenëse nuk kishim si ta kalonim kohën në Shkodrën e përmbytur i tregova mikut të huaj për romanin “Lumi i vdekur” duke i thënë se ai e sqaronte atë që po ndodhte. Ky lumë i vdekur në veri ka historinë e vet. Thuhet se ky ndryshim shtrati ndodhi për shkak të një tërmeti, por më shumë mundësi ka që tërmeti t’i ketë dhënë shtysën e fundit “punës” së bërë nga dora e njeriut për mijëra vjet me prerje pyjesh e marrje zhavorri në shtratin e lumit. Ajo është një zonë me shumë ndërtime të vjetra, ndër të cilat edhe kështjella që janë rindërtuar shpesh dhe këto kanë kërkuar materiale që merreshin më lehtë në brigjet e lumenjve dhe në shtratin e tyre. Kjo nuk na shfajëson ne të sotmit që e kemi përkeqësuar gjendjen e lumenjve.

Lumi i vdekur në veri, në shtratin e vjetër të Drinit, me historinë e tij akoma priste një shkrimtar që të shkruante për të sipas shembullit të Jakov Xoxës. Çudi që me aq shumë shkrimtarë sa ka nxjerrë zona Shkodër-Lezhë, asnjë prej tyre nuk ka shkruar një roman për këtë lumë të vdekur të veriut të Shqipërisë! Dhe, jo vetëm shkrimtarin, por edhe qeveritarët dhe specialistët që do ta zgjidhin problemin.

Ne akoma edhe sot nuk e kemi zgjidhur dot problemin e shkaktuar nga ndryshimi i shtratit të Drinit një shekull e gjysmë më parë që meriton të quhet një katastrofë natyrore me pasoja afatgjata. Thuhet se tani do të zgjidhet me ndërtimin e ujëmbledhësit të hidrocentralit të Skavicës, por kjo mbetet për t’ u parë. Një gjë është e sigurt, kemi një lumë të vdekur në veri, që është shtrati i vjetër i Drinit dhe lumin e ikur prej shtratit të tij natyror dhe krijon problem që nga ajo kohë.

Miku i huaj kishte qëlluar njeri i apasionuar pas natyrës dhe udhëtimeve në natyrë kështu që verën e ardhshme më detyroi të vizitonim shtratin e vjetër të Drinit dhe lumin e vdekur që përshkruhet në romanin e Jakov Xoxës. Duke e shoqëruar mikun e huaj në këtë udhëtim po mendoja se paradigmën e lumit të vdekur që krijoi Jakov Xoxa në romanin e tij me këtë titull duhet ta shohim si një metaforë sensibilizuese për problemet ekologjike në përgjithësi. Duke nisur që nga lumenjtë.

Në të vërtetë ne ende nuk kemi zgjidhur dot si duhet as problemin e lumit të vdekur autentik në Myzeqe, për të cilin shkruan Jakov Xoxa në roman dhe këtë e tregon fakti që Myzeqeja përmbytet përsëri. Janë prishur hidrovoret dhe sistemi i kanalizimeve i ndërtuar para vitit 1990 do të thotë dikush. Shumë janë prishur vërtet por shumë janë rindërtuar madje edhe në mënyrë më modern. Dhe unë që kam bërë shërbimin ushtarak në Hoxharë, në Myzeqe, pranë vendit ku zhvillohen ngjarjet e romanit “Lumi i vdekur” jam dëshmitar që ajo zonë përmbytej edhe në vitet 70-80.

Periudha e tranzicionit solli “lumenj të vdekur” të një lloji tjetër. Nëse Jakov Xoxa do ta shikonte pak vite më parë lumin Gjanica që kalon në qytetin e Fierit do ta quante edhe atë një lumë të vdekur, ashtu të mbushur me plehra siç ishte që pengonin rrjedhën e tij dhe shkaktonin përmbytje. Një lumë të vdekur do ta kishte quajtur Jakovi edhe Lanën në Tiranë nëse do ta shikonte në vitet nëntëdhjetë ashtu të mbushur me kioska dhe ndërtime në të dy brigjet e tij, ose më saktë në rrëzë të shtratit të lumit, ndërsa vetë shtrati i lumit shërbente si vend për hedhjen e plehrave nga ata që i kishin këto kioska dhe ndërtesa në të dy brigjet e Lanës. Për fat të mirë të dy këta lumenj u ringjallën në mënyrë spektakolare.

Historia e lumit të vdekur rrezikon të përsëritet edhe me lumenj të tjerë, si p.sh. me Vjosën të cilën duan ta zhbëjnë nëpërmjet ndërtimit pa kriter të hidrocentraleve, që do t’ i bëjnë kanionet e saj të mrekullueshme të duken si shtrati i lumit të vdekur të romanit të Jakovit. Vjosa është shpëtuar deri më sot, sepse në mbrojtje të këtij lumi janë ngritur njerëz të famshëm nga e gjithë bota. Por, të tjerë lumenj të vegjël, më pak të njohur se Vjosa që nuk kanë kanione të famshme si të saj janë zhdukur duke u rrëmbyer uji i tyre me tubacione që furnizojnë turbinate e hidrocentraleve. Uji merret në një pikë dhe nxirret në një tjetër, justifikohen ata që bëjnë biznesin e hidrocentraleve të tilla. Por, midis dy pikave zhduket lumi duke u shndërruar në lumë të vdekur. Dhe pikat ku merret uji shtohen meqënëse shtohen hidrocentralet përgjatë shtratit të lumit, kështu që nuk mbetet veçse një lumë i vdekur. Pra, romani i Jakov Xoxës, në një kuptim të caktuar është sot jo më pak aktual se kur ndodhnin ngjarjet që përshkruhen në të.

Romani “Lumi i vdekur” i Jako Xoxës u përfol nga ata që kishin xhelozi profesionale ndaj autorit duke u quajtur si imitim i romanit të Shollohovit “Doni rrjedh i qetë”, që në gjuhën shqipe ishte përkthyer me titullin “Doni i qetë”. Në të vërtetë mes dy romaneve ka vetëm një ngjashmëri që titulli i tyre ka të bëjë me një lumë. Por, konceptimi është krejt i ndryshëm. Në romanin e Shollohovit autori e vendos lumin thjesht si sfond të ngjarjeve dhe kjo kuptohet që në titull me të cilin autori kërkon të thotë se me të gjitha këto që ndodhin në brigjet e tij lumi vazhdon rrjedhën e tij i qetë.

Ndërsa, në romanin e Jakov Xoxës lumi është faktor themelor në zhvillimin e ngjarjeve. Lumi i vdekur rri si kërcënim mbi jetën e brezave të cilët e njohin historinë e tij që është si e një përbindëshi të fjetur që mund të zgjohet në çdo çast. Një përbindësh natyror, ose më saktë natyra e shndërruar në përbindësh. Një përbindësh që si ai i Doktor Frankeshtajnit është krijuar nga dora e njeriut, nga keqpërdorimi që njeriu i ka bërë natyrës duke ndërhyrë dhe prishur sistemin e saj harmonik. Kështu duhet lexuar sot metafora në titullin e librit të Jakov Xoxës dhe përmbajtja e tij. Për këtë mund të thuhet që Jakov Xoxa është i pari shkrimtar shqiptar dhe deri tani i vetmi që meriton të quhet filozof i mjedisit, një mendimtar ekologjist.

Vitin e ardhshëm Jakov Xoxa ka 100 vjetorin e lindjes. Është ky një rast i mirë për ta përkujtuar edhe si mendimtar ekologjist, sepse për një të tillë serioz kemi shumë nevojë sot kur këtë zonë të mendimit e ka zaptuar dhe mbretëron në të ndonjë karagjoz. Më mirë të lartësojmë të vdekur të mençur se të gjallë të marrë.

 

 

 

Exit mobile version