Pas superjahtit me vlerë 300 milionë dollarësh që u ankorua në brigjet shqiptare në fillim të muajit, një tjetër mjet luksi ka lundruar në ujërat shqiptare.
Bëhet fjalë për Amphitrite, jahti të cilin një nga personazhet më në zë britanikë e bëri të vetën për bukurinë e 22 milionë paundëve.
Emri i saj është Joanne Kathleen Rowling dhe njihet si idhulli i miliona lexuesve të rinj, zemrat e të cilëve i fitoi me librat e saj “Harry Potter”.
Ajo është vënë re përgjatë ditës së sotme, ndërkohë që nuk dihet arsyeja për të cilën ka ardhur në Shqipëri.
Portali NewsBomb bën me dije se mund të vizitojë qytetin antik të Butrintit, i cili renditet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO.
Më parë jahti zotërohej nga aktori hollywoodian Johnny Depp dhe është përdorur për të xhiruar filmin “The Tourist”, ku protagonistë ishin pikërisht Depp dhe Jolie.