Telegrafi

Jahjaga: T’i japim fund barrierave gjinore

Kjo javë synon të ngre vetëdijen shoqërore dhe institucionale rreth fuqisë dhe rëndësisë që zhvillimi i ndërmarrësisë ka në zhvillimin ekonomik të vendit, në nxitjen e inovacionit, në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe në rritjen e mirëqenies të të gjithë qytetarëve, andaj dhe unë kam shprehur mbështetjen time të parezervë.

Kështu ka thënë Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga në lansimin e Ditës së Grave Ndërmarrëse në Kosovë.

Ajo tha se meqë ndërmarrësia është gjenerator i zhvillimit ekonomik dhe atij social, sipas saj, një shoqëri e cila mbështet shpirtin ndërmarrës në mesin e saj, është një shoqëri vizionare dhe është një shoqëri e cila e ka trasuar për vete dhe qytetarët e saj, një të ardhme më prosperuese.

“Në adresimet e mia të shumta, e kam sjell shpesh në pah faktin se gratë përbëjnë gjysmën e shoqërisë sonë dhe gjysmën e talentit dhe burimit njerëzor. Por, përkundrejt faktit që gratë janë gjysma e pasurisë së njerëzimit, ne shohim çdo ditë sesi grave ju ofrohen më pak mundësi në edukim, më pak qasje në burimet financiare dhe ato ekonomike. Ato janë më pak të pranishme në tavolinat vendimmarrëse, apo në bordet menaxhuese të kompanive të mëdha’, tha ajo.

Sipas Jahjagës, përballemi me një realitet të hidhur ku gratë dhe vajzat përfaqësojnë kategorinë më të varfër të shoqërisë, përbëjnë shtresën më pak të avancuar ekonomikisht duke e gjetur veten pjesë të rrethit vicioz të varfërisë dhe të varshmërisë brez pas brezi.

Sipas saj, ka ardhur koha që të ndryshojmë këtë realitet, t’i japim fund barrierave gjinore që ju imponohen grave dhe vajzave. “Pasi respektimi i të drejtave të grave është një e drejtë njerëzore por është edhe një zgjedhje e mençur që garanton mirëqenie dhe progres”, tha Jahjaga.

Presidentja u shpreh e bindur se çdo ditë e më shumë po shihen efektet pozitive të shumëfishta të përfshirjes aktive të grave në çdo fushë të shoqërisë, veçanërisht në ato shoqëri të cilat si pjesë të zhvillimit të tyre kanë integruar politikat e garantimit të pjesëmarrjes së gruas në çdo kapilar të shoqërisë. “Vetëm para pak ditësh anëtarët e G20, të shteteve më të zhvilluara ekonomikisht, u zotuan të ndërmarrin masa konkrete për të zvogëluar hendekun e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore në mes burrave dhe grave për 25 për qind deri në vitin 2025. Shpresojmë që ne të arrijmë këtë”, thotë Presidentja.

Jahjaga tha se duhet të hartohen strategji dhe plane konkrete, përmes të cilave garantohet qasja afatgjate e gruas në ekonomi, duhet të hartohen një qasje gjithëpërfshirëse që i adreson të gjitha barrierat me të cilat përballen gratë që nga hapi i parë i pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, deri te garantimi i pjesëmarrjes në bordet menaxhuese të kompanive, qofshin të vogla ose të mëdha.

“Fuqizimi ekonomik i gruas buron nga dhuntitë dhe shkathtësitë e gruas, dhe merr formë kur grave ju ofrohen mundësitë e barabarta, duke përfshirë të drejtat e tyre të plota ligjore dhe qasjen e drejtë në mundësi dhe në burime”, tha ajo.

Ky manifestim shënohet në partneritet me Javën Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën patronatin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. /Telegrafi/