Site icon Telegrafi

Jahjaga do të pushojë pas mandatit si Presidente (Video)

Presidentja në largim, Atifete Jahjaga, në ditën e fundit si presidente, thotë se ende nuk është përcaktuar se a do të qëndrojë në politikë. Por ka thënë se tash për tash do të pushojë.

Megjithatë, ajo ka shtuar se çfarëdo që vendos të bëjë në të ardhmen, do të jetë kontribut për të mirën e Kosovës.

Kështu është deklaruar Jahjaga, duke iu përgjigjur pyetjes së një studenti gjatë një takimi lamtumirës me studentët e Fakultetit Juridik në Prishtinë.

Në ditën e saj të fundit si presidente, ajo tha që ka zgjedhë të jetë pranë të rinjve që janë krenaria me e madhe që e ka shoqëruar atë gjatë ushtrimit të postit për 5 vjet.

Duke i inkurajuar për të punuar, ajo u ka rrëfyer një prej momenteve më të këqija që ajo ka përjetuar, e që ishte humbja e besimit të shoqërisë në klasën politike.

Por pavarësisht sfidave, Jahjaga është shprehur optimiste se rinia e Kosovës dhe pikërisht studentët do bëjnë ndryshimin që i duhet Kosovës dhe do ta kthejnë atë në vendin për të cilin edhe kanë sakrifikuar prindërit dhe gjyshërit e tyre.

Jahjaga e emocionuar ka falënderuar familjen dhe njerëzit që e përkrahën, duke përfunduar se ka qenë nder të mbajë këtë post.

Exit mobile version