Telegrafi

Jahjaga takon Albright, diskutojnë për sfidat me të cilat po përballet Kosova

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë vizitës së saj në SHBA ka takuar ish- Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright.

Jahjaga përmes një postimi në Facebook ka thënë se me Albright ka biseduar për sfidat me të cilat po përballet Kosova dhe nevojën për mbështetje dhe prani të vazhdueshme amerikane në Kosovë dhe rajon.

“Reformat në Kosovë mbesin qenësore për zhvillimin demokratik të vendit dhe për forcimin e orientimit dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.

Kam nderin që në kuadër të Konventës Demokratike në SHBA, nesër jam e ftuar të marr pjesë në panelin e njëjtë me zonjën Albright, për të diskutuar sfidat me të cilat gratë përballen në politikë”, ka shkruar Jahjaga./Telegrafi/