Ish-presidentja Atifete Jahjaga ka përshëndetur ratifikimin e marrëveshjes për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, duke e cilësuar si një hap i rëndësishëm në procesin e shtetndërtimit, përmbushjes së obligimeve dhe përgjegjësive tona shtetërore dhe përcaktim i qartë në anën e drejtë të historisë.
“Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugë lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës duke i dhënë fund izolimit të tyre”, ka shkruar Jahjaga në Facebook.
“Megjithatë, sot duhet të jetë edhe një ditë e reflektimit. Klasa politike e Kosovës duhet ta shfrytëzojë këtë moment për të menduar thellë për dëmin e shkaktuar nga tri vite veprimesh apologjetike dhe një politikë shkurtpamëse të interesave të ngushta politike. Rezultati është një diskreditim i pariparueshëm i reputacionit të institucioneve para qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”.
“Në fund, dua t’i falënderoj te rinjtë e Kosovës që me durim të pashoq e shpërthyen këtë izolim të padrejtë duke e sjellë vëmendjen e botës në Kosovë përmes inovacionit dhe kreativitetit të tyre. Tani është radha ta dëshmoni atë që tashmë e dimë – që Kosova do të jetë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian”, ka thënë Jahjaga. /Telegrafi/