Telegrafi

Jahjaga: Pjesëmarrja e grave në Polici, tejet e rëndësishme

Jahjaga këto komente i bëri në inaugurimin e Shoqatës së Grave Police të Kosovës.

“Policia e Kosovës është ndërtuar me standardet më të larta profesionale, të gjithëpërfshirjes së komuniteteve, me numrin më të lartë të grave në të, duke u bërë kështu institucioni më i afërt dhe më i prekshëm nga çdo kategori e shoqërisë. Ka qenë pjesëmarrja e grave në polici që ka luajtur rol të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie ku çdo qytetar merr përsipër përgjegjësitë e tij dhe të saj, dhe jep kontributin e vet të pakursyer në ndërtimin dhe garantimin e shtetit ligjor”, theksoi Jahjaga.

Ajo deklaroi se gruaja në polici dhe në struktura të tjera të sigurisë ka thyer tabutë se gratë nuk mund të kenë rol parësor kur bëhet fjalë për sigurinë e vendit, pasi që tradicionalisht një rol i tillë i është besuar burrave.

Më tej, presidentja e vendit u shpreh se shumë i rëndësishëm ka qenë roli i gruas kosovare edhe gjatë luftës ku, përpos pjesëmarrjes aktive në luftë, ajo ka qenë shtylla e rezistencës përmes përkujdesjes që ka treguar ndaj fëmijëve, të moshuarve, të zhvendosurve brenda Kosovës. /Telegrafi/