Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, po merr pjesë si e ftuar në Samitin The United State of Women, të organizuar nga Shtëpia e Bardhë në Uashington, bën të ditur faqja zyrtare e Jahjagës në Facebook.
Hapjen zyrtare të Samitit do ta bëjnë Presidenti dhe Zonja e Parë të SHBA’së, Barack dhe Michelle Obama, dhe zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden.
Samiti ka mbledhur gra të suksesshme, aktore të mirënjohura, biznesmene e politikane, si astronauten Christina Koch, aktoren Meryl Streep; pronaren mediatike Oprah Winfrey; aktivisten e të drejtave të grave Gloria Steinem; Gina Tesla nga korporata IBM; Caryl Stern, presidente e Fondit të SHBA-ve për UNICEF-in; Reshma Saujani, krijuesja e organizatës Girls Who Code; Lakshmi Puri, zëvendës drejtoresha ekzekutive e Grave të OKB-së, dhe shumë të tjera.
“Këto gra të jashtëzakonshme kanë ngritur zërin, kanë bërë çmos që të mos rrinë të heshtura për kauzat në të cilat ato kanë besuar dhe besojnë. Dhe mbi të gjitha, ato kanë përkrahur njëra-tjetrën”, thuhet në një shkrim të publikuar në faqen zyrtare të Jahjagës në Facebook.
Samiti i sivjetmë, shënon arritjet e deritashme, por synon edhe të identifikojë barrierat dhe t’i adresojë ato, në mënyrë që të bëhen ndryshime rrënjësore në ndërtimin e një të ardhmeje me barazi të plotë gjinore.
Me moton “Sot e ndryshojmë të nesërmen”, do të diskutohet për fuqizimin e grave në ekonomi, shëndetin dhe mirëqenien e tyre, mundësitë për edukim, dhunën kundër grave, ndermarrësine, lidershipin dhe angazhimin qytetar të tyre.