Ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot në Dublin nga Presidenti i Republikës së Irlandës, Shkëlqesia e tij, Michael D. Higgins.
Në takim u diskutuan mundësitë për thellimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve dhe përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës, me theks të veçantë në procesin e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Integrimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare do të jetë shtytës për procesin e pajtimit në rajon. Kosova dhe rajoni mund të mesojnë shumë nga Irlanda në procesin e ndërtimit të paqes dhe bashkëjetesës me fqinjtë”, tha Jahjaga.
Poashtu, u fol për rëndësinë e pajtimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor si parakusht për një të ardhme paqësore të rajonit brenda Unionit Evropian.
Presidenti Higgins tha se: “E ardhmja e Bashkimit Evropian duhet të bazohet në diversitetin e popujve të tij”. “Atë [të ardhmen e BE-së] duhet ta mendojmë si bashkim të popujve evropianë dhe mund ta bëjmë realitet duke krijuar më shumë kohezion në mes të popujve”, u shpreh ai.
Irlanda është një nga vendet e para që ka njohur Kosovën si shtet vetëm pak kohë pas shpalljes së pavarësisë në shkurt të vitit 2008. /Telegrafi/