Ish-presidentja Atifete Jahjaga, të enjten do të marrë pjesë në festivalin tradicional kosovaro-serb “Mirëdita, dobardan”, ku ajo do të mbajë një fjalim për gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Me këtë rast aty do të prezantohet edhe libri “Ne duam të dëgjohemi” që trajton këtë temë fort të ndjeshme, parathënien e të cilit e ka shkruar Jahjaga.
Sa i përket koreve nacionaliste me të cilat është pritur njoftimi se ajo do të jetë pjesë e këtij festivali, këshilltarja e saj, Gresa Kraja, për Klan Kosovën, ka thënë se ato nuk i shqetësojnë, as nuk i bëjnë të rimendojnë shkuarjen në kryeqytetin serb.
Ndërkohë, për vizitën e saj në Beograd, gjegjësisht fjalimin e saj kanë reaguar edhe disa media serbe.
“Sulm i ri i shqiptarëve: Jahjaga përdhunon Serbinë në mes të Beogradit!”, është titulli i mediumit serb Informer.
“Ish-presidentja e shtetit të rremë të Kosovës, Atifete Jahjaga, në mes të Beogradit mban një fjalim në lidhje me atë se si serbët e organizuar kanë dhunuar gratë shqiptare ?!…”, thuhet më tej në nëntitullin e artikullit. /Telegrafi/