Telegrafi

Jahjaga nderon Ihsanoglun me medaljen për Paqe…

Në këtë takim Jahjaga e nderoi Ihsanoglu me medaljen Urdhri për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm “Dr. Ibrahim Rugova”, për kontributin e dhënë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga vlerësoi lart punën e Ihsanoglu për afirmimin e shtetit të Kosovës, me përfshirjen në Rezolutën e OBI-së të kërkesës për njohjen e Kosovës nga vendet anëtare të kësaj organizate dhe nxitjen e mbështetjes për zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Ajo theksoi se Kosova është shtet qytetar ku të drejtat e të gjithë qytetarëve janë të garantuara me Kushtetutën dhe me ligjet e Kosovës. Sipas saj, Kosova është vend promotor i fqinjësisë së mirë dhe i paqes e stabilitetit në rajon dhe është e përkushtuar në rrugën e saj drejt integrimit në BE.

Presidentja Jahjaga me Ihsanoglu biseduan rreth dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve. Presidentja vlerësoi se kjo marrëveshje do të kontribuojë në përmirësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit dhe do të ndihmojë integrimin e komunitetit serb, që jeton në pjesën veriore të territorit të Kosovës, në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Ihsanoglu vlerësoi progresin që Kosova ka bërë që nga shpallja e pavarësisë dhe theksoi se Organizata e Bashkëpunimit Islamik do të vazhdojë ta mbështes atë në konsolidimin ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik. Ai vlerësoi pozitivisht marrëveshjen e arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. /Telegrafi/